Ambasadorin e ri të Gjermanisë, z. Peter Zingraf, me rastin e fillimit të mandatit të tij në Shqipëri bëri një takim me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi. Ky i fundit e uroi Ambasadorin Zingraf për detyrën e tij të re dhe shprehu besimin se gjatë këtij mandati marrëdhëniet midis të dy vendeve do të fuqizohen më tej.

“Gjermania është lokomotiva ekonomike dhe politike e Europës. Ne i jemi mirënjohës Bundestagut, qeverisë gjermane dhe personalisht kancelares Merkel për fokusin e tyre të veçantë ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjes së rrugëtimit tonë europian. Shpresojmë që kjo mbështetje do të vazhdojë dhe se Bundestagu dhe Qeveria gjermane do tu thonë ‘PO’ çeljes së negociatave me Shqipërinë në mbledhjen e Këshillit Europian të tetorit.”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Ambasadori Petert Zingraf nënvizoi se është i lumtur që ka filluar misionin e tij në Shqipëri dhe se i jepet mundësia të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve. “Kancelarja Merkel ka deklaruar së fundi se Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria kanë rëndësi strategjike për Gjermaninë dhe BE-në. Synimi i Gjermanisë është t’i thotë ‘PO’ çeljes së negociatave me Shqipërinë”, nënvizoi Ambasadori Zingraf.

Kryetari i Kuvendit Ruçi dhe Ambasadori Zingraf biseduan edhe mbi zgjerimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe nxitjen e investimeve gjermane në industritë prodhuese në Shqipëri.

Top Channel

Loading...