Agjencia për zbatimin e gjuhëve publikoi broshurë në versionin elektronik për përdorimin gjuhëve zyrtare, që ka për qëllim të informohen qytetarët lidhur me të drejtat e tyre të cilat dalin nga ligji i ri për përdorimin e gjuhëve.

Drejtori i Agjencisë, Ylber Sela theksoi se barazia gjuhësore është një nga vlerat më të larta të cilat ne si Republikë e Maqedonisë së Veriut mund t’i respektojmë.

“Kapacitetet që Maqedonia e Veriut në këtë drejtim i ndërton tashmë janë vendosur dhe ne tani duhet t’i zbatojmë. Gjuha është identitet i një kombi dhe ka rëndësi të madhe, Na mbetet neve të kontribuojmë në këto vlera, në mënyrë që të ndërtojmë një Maqedoni evropiane dhe të ecim krenarë nëpër rrugën drejt BE-së”, theksoi Sela.

Theksoi se Agjencia pret të miratohet ribalanci i buxhetit, me qëllim që të merren para për shtypjen e publikimit, duke cekur se broshura është e përgatitur në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze.

“Broshura na shërben për të sqaruar dhe për të dhënë kontribut në atë që të gjitha institucionet dhe qytetarët të mund ta lexojnë dhe të informohen lidhur me gjërat themelore që duhet të dihen dhe në atë mënyrë kjo do të kontribuojë për implementimin e Ligjit. Kjo do të kontribuojë për marrëdhënie më të mira mes qytetarëve, e gjithashtu do të kontribuojë drejt rrugës së vendit në integrimet euroatlantike”, tha Sela.

Theksoi se vendi tashmë ka avancuar legjislaturën me të cilën rregullohet përdorimi i gjuhëve, por gjatë zbatimit të saj në praktikë paraqiten mangësi, probleme dhe sfida.

“Agjencia për zbatimin e gjuhës për herë të parë bëri tentim të përgatisë një publikim në lloj të broshurës e cila ka për qëllim të sigurojë informata për qytetarët tanë lidhur me mundësinë për realizim të të drejtave të tyre në ndonjërën prej gjuhëve zyrtare në shtetin tonë, por gjithashtu kjo broshurë, vlerësojmë se do të jetë edhe një udhërrëfyes praktik dhe vegël ndihmëse për institucionet e pushtetit lidhur me atë se si t’i zbatojnë obligimet e tyre institucionale për zbatimin e dispozitave të ligjit të saposjellur për përdorimin e gjuhëve i cili hyri në fuqi nga muaji janar i këtij viti”, theksoi Llazo Matovski nga Agjencia.

Theksoi se broshura përmban informata lidhur me fillimet e vetë themelimit të Agjencisë, misionit të saj, rreth-veprimin e punës, kompetencat, por gjithashtu përmban edhe informata të dobishme për qytetarët lidhur me atë se si t’i realizojnë të drejtat e veta të shprehjes, të drejtën e të folurit, të drejtën e përdorimit të njërës prej gjuhëve zyrtare në procedura të organeve të pushtetit, si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal.

“Gjithsesi se zbatimi i Ligjit të saposjellur për përdorimin e gjuhëve në fillim përballet me sfida dhe probleme të cilat ekzistojnë në praktikë, por parimisht edhe roli i Agjencisë për zbatim të gjuhës është mu në atë të sigurojë mbështetje institucionale”, theksoi ai.