Furnizimi publik dhe ankandi elektronik kanë përfunduar. Këtë javë duhet të nënshkruhet vendimi për përzgjedhjen e ofertës më të volitshme dhe librat të cilat nuk janë botuar në katër-pesë vitet e fundit do të botohen dhe do të shpërndahen deri tek të gjitha shkollat, deklaroi sot ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.

Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve ai theksoi se librat nuk mungojnë, po ka libra të dëmtuara.

“Duhet të bëhet një dallim i vogël, kur bëhet fjalë për furnizimin e librave, librat të cilat blihen nga shtëpitë botuese shpërndahen në të gjitha shkollat, ndërsa ka libra për të cilat MASH e ka të drejtën ekskluzive dhe për të cilat shkojmë përmes furnizimit publik për botim. Në katër-pesë vitet e fundit për fat të keq nuk është realizuar një furnizim i tillë publik, sepse çdoherë është anuluar para ndonjë instance të dytë ose instancave gjyqësore. Këtë javë kjo procedurë do të përfundojë”, ka thënë Ademi para hapjes së tubimit ndërkombëtar me rastin e 60 vjetorit të ekzistimit të Katedrës për gjuhë dhe letërsi italiane pranë Fakultetit filologjik “Blazhe Koneski”.

Shtoi se librat e gjuhës maqedonase, të gjeografisë, të historisë dhe të muzikës janë e drejtë ekskluzive e MASH-it, për to zhvillohet procedurë dhe do të botohen.