Kosovari pritet që të mbaj shiritin e kapiteni pas largimit të Laurent Koscielny nga Arsenali, megjithatë ai thotë se tërë skuadra duhet të merr përgjegjësi dhe të tregoj lidership

Granit Xhaka shpreson ende që të jetë kapiten i skuadrës së Unai Emery për sezonin e ri, por ai ka thënë se është përgjegjësi e tërë skuadrës që të tregojnë lidership këtë sezon.

“Askush nuk ka folur për shiritin e kapitenit deri me tani”, ka thënë Xhaka për Arsenal Player.

“Trajneri ende nuk ka vendosur por nëse unë do ta kem shiritin, natyrisht, do të jem i lumtur. Është një gjë speciale por në fund ne të gjithë duhet të jemi kapiten të skuadrës si brenda ashtu edhe jashtë fushës sepse kështu duhet të jemi të gjithë ne”.

Xhaka i ka bërë këto komente pas humbjes në ndeshjen e fundit të turneut parasezonal kundër Barcelonës, ku edhe pse e kishin epërsinë prej 1-0 e shpërdoruan atë duke humbur trofeun Joan Gamper, transmeton GazetaExpress.

Asistimi i Mesut Ozil u kompletua edhe me një finalizim të bukur të Pierre-Emerick Aubameyang, e ku Arsenali udhëhoqi në pjesën e parë, por nuk arritën ta ruajnë rezultatin.

Një keqkuptim në mes të Ainsley Maitland-Niles dhe Bernd Leno bëri që Barca të kthehet në lojë, para se në fund të ndeshjes të shënonte Luis Suarez.

“Mendoj se ne jemi gjetur përsëri në një situatë të njëjtë si më parë”, ka thënë Xhaka.

“Ne luajtëm shumë mirë por në fund nuk i morëm të gjitha. Ne duhet të mësojmë që të koncentrohemi për 90 minuta në të ardhmen”.

“Natyrisht, sot kishte gjëra pozitive dhe negative. Sot në luajtëm kundër një kundërshtari të mirë si Barcelona”.

“Pjesa e parë ishte shumë e mirë, edhe e dyta ishte OK. Ne ishim në presion pak më shumë se në pjesën e parë, por në fund të saj u përmirësuam. Ne duhet ti lëmë këtu gjërat e këqija kurse të mirat ti marrim me vete”.

Arsenali u largua nga klima me diell në Kataluni për të vazhduar stërvitjet për ndeshjen e tyre të parë të sezonit në Premier Ligë, ku do të përballen me Newcastle të Steve Bruce.

Pasi kësaj ata do të luajnë kundër Burnleyt, pastaj do të kenë dy ndeshje të forta, në Anfield me Liverpool dhe me Tottenham në shtëpi, të dy këto skuadra finaliste të Ligës së Kampionëve. /