Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, insistoi se rezultatet e mira të skuadrës së tij gjatë turneut parasezonal nuk kanë ndonjë vlerë të madhe për sezonin e ri të Premierligës.

Manchester Unitedi i fitoi të pesë ndeshjet miqësore këtë verë, duke regjistruar fitore kundër Perth Gloryt, Leeds, Interit, Tottenhamit dhe Kristiansundit.

Por Solskjaer, para përballjes të së shtunës me Milanin në International Champions Cup, tha se këto rezultate nuk janë relevante për skuadrën e tij para ndeshjes së parë të sezonit të ri të Premierligës, kundër Chelseat në Old Trafford, më 11 gusht.

“Kemi qenë shumë të kënaqur me rezultatet. Ka qenë diçka e mirë t’i shohësh djemtë që janë kthyer në përgatitjet parasezonale në formë të mirë”, tha Solskjaer në një intervistë të dhënë për TalkSport.

“Por, përsëri, asnjë pikë nuk është shpërndarë për ato ndeshje dhe ato fitore s’kanë aspak rëndësi kur Chelsea të vijë në “Old Trafford” më 11 gusht”.

“Ne duhet të përmirësohemi dhe të jemi edhe më të mirë. Sa më shumë të përmirësohemi dhe sa më të mirë të jemi, aq më të mëdha do t’i kemi mundësitë të fitojmë trofe në fund të sezonit”.

“Këta djem e kanë shfaqur aftësinë e tyre. Nëse ne qëndrojmë të përqendruar, unë mund ta shoh skuadrën time duke u përmirësuar shumë”.

Solskjaer i ndihmoi Manchester Unitedit të kthehet në formë më të mirë sezonin e kaluar, pasi e zëvendësoi Jose Mourinhon në pozitën e trajnerit në dhjetor, kur portugezi u shkarkua.