Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një shkrese zyrtare, ka kërkuar nga bartësi i koalicionit fitues (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate ), i zgjedhjeve të fundit, Kadri Veseli, që të propozojnë kandidatin e ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Në letrën e presidentit Thaçi drejtuar Veselit thuhet se si “koalicion fitues që kanë fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë, kanë të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Diskutimet për formimin e qeverisë së re kanë ardhur pasi Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës më 19 korrik, meqë është ftuar nga Prokuroria Speciale në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës, partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës janë në pritje të ftesës nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, për konsultime lidhur me hapat e mëtutjeshëm.

Thaçi, konsultimet, fillimisht i ka nisur me përfaqësuesit e partive të vogla nga radhët e komuniteteve.

Shumica e partive kanë thënë se duan zgjedhjet të parakohshme.