Gjithsej tetë persona janë arrestuar për drogë në tre aksione policore pardje dhe dje në pikëpagesën rrugore në autostradën Tetovë – Gostivar.

Gjashtë persona nga Shkupi, në dy kontrolle të ndara, janë arrestuar dje në periudhë prej dy orëve, mes orës 20 dhe 22, pasi te ata janë gjetur mjete narkotike, informoi sot Ministria e Punëve të Brendshme.

“Dje rreth orës 20:15, nëpunës policorë nga Gostivari kanë privuar nga liria dy banorë të Shkupit. Te K.K. (27) dhe B.D. (23) janë gjetur marihuanë dhe kokainë. Dy orë më vonë, rreth orës 22, në pikëpagesën e njëjtë janë privuar nga liria I.M. (29), G.M. (32) dhe L.N. (32), të gjithë nga Shkupi. Gjatë kontrollit te ata është gjetur marihuanë”, kumtoi MPB-ja.

Ditën paraprake, më 1 gusht, nëpunësit policorë nga Gostivari kanë arrestuar edhe një person nga Gradeci. Ai u privua nga liria për shkak të bazës së njëjtë të dyshimit, duke marrë paarsysh se te ai është gjetur kokainë.

“Rreth orës 19 në rrugën magjistrale Gostivar – Kërçovë, policët gjatë kontrollit të kryer te personat V.R. (38) nga fshati Gradec, Gostivar dhe te Gj.F. (47) nga Gostivari kanë gjetur kokainë”, informojnë nga MPB-ja.

Të gjithë personat e arrestuar në Stacionin policor në Gostivar janë mbajtur për procedurë të mëtejshme. .