Sipas të dhënave më të reja të statistikës të Sektorit për Punë të Brendshme për korrikun, në rajonin e Tetovës kanë ndodhur gjithsej 99 aksidente, prej të cilave 70 në vend të populluar dhe 29 në vend të hapur. Nëpunësit policor në rajonin e Tetovës për korrikun gjithsej kanë zbuluar dhe në mënyrë adkeuate kanë sanksionuar 1.896 shkelje të komunikacionit.

“Në aksidentin e fundit, një grua 43 vjeçare nga fshati Strellc i Kërçovës dje në Tetovë është goditur nga një automjet në rrugën “Radovan Coniq”, dhe për shkak të lëndimeve është mbajtur për shërim në Klinikën e Tetovës. Incidenti ka ndodhur rreth orës 15:00, ndërsa automjetin “Mercedes” me targa të Tetovës e ka ngasur F.D.(24) nga Tetova”, informon zëdhënësi i SPB-së Tetovë Marjan Josifovski.

Gjatë muajit të kaluar në rajonin më të gjerë të Tetovës gjithsej janë regjistruar 17 këmbësorë të lënduar, prej të cilëve pesë kanë përfunduar me lëndime të rënda, ndërsa 12 me të lehta. Dy këmbësorë deri më sot janë lënduar gjatë muajit gusht. Numri më i madh i fatkeqësive të tilla kanë ndodhur në rrugët e Tetovës.