Trajneri e ka mbushur skuadrën e Manchester Unitedit me lojtarë të rinj dhe lojtarët me përvojë, si Chris Smalling, Phil Jones, Nemanja Matic janë viktimat e filozofisë së tij.

Në dy ndeshjet hapëse të Manchester Unitedit në sezonin e ri të Premierligës, Ole Gunnar Solskjaer e ka dëshmuar se mund të bëhet i pamëshirshëm kur ka nevojë për ta transformuar skuadrën e tij, shkruan The Guardian,

Trajneri është duke e ndërtuar boshtin e skuadrës me lojtarë të rinj, gjë që u dëshmua kundër Chelseat pasi që Manchester Unitedi e pati skuadrën më të re të fundjavës – mesatarisht 24 vjeç e 227 ditë. Kjo shifër u ul në 24 vjeç e 173 ditë në ndeshjen e së hënës kundër Wolvesit.

Kjo e dëshmon përkushtimin që Solskjaer e ka për ta ndjekur filozofinë e vet. Aftësia për t’i menaxhuar lojtarët do të testohet sepse vendosja e skuadrës para egove të futbollistëve bën që viktimat të jenë qendërmbrojtësit, Phil Jones e Chris Smalling, dhe mesfushori Nemanja Matic – disa ndër lojtarët me më së shumti përvojë në këtë skuadër.

Solskjaer nuk pati vend as në stol për Jonesin e Smallingun në fitoren me rezultat 4:0 kundër Chelseat apo barazimin 1:1 kundër Wolvesit. Rënia e tyre ndodhi pasi që titullar ishin Victor Lindelof dhe Harry Maguire, ndërsa si rezervë Solskjaer preferoi ta emërojnë 21-vjeçarin Axel Tuanzeben.

Kjo lëvizje e trajnerit vjen vetëm pak kohë pasi që Jones dhe Smallingu i rinovuan kontratat e tyre me klubin anglez sezonin e kaluar. Smallingu nënshkroi kontratë deri në vitin 2022 me opsionin për ta zgjatur atë edhe për një vit. Ndërsa Jones ka kontratë deri në vitin 2023 dhe e ka opsionin për ta zgjatur kontratën edhe për një vit.

Përderisa marrëveshja e re e Smallingut i arrit tre ditë pas Jose Mourinho u shkarkua, në dhjetor të vitit të kaluar, Solskjaer ishte në drejtim të “Djajve të kuq” kur Jones e nënshkroi kontratën e re. Por, ai mund të mos ketë pasur rol të madh as në këtë rast, pasi që ishte duke e kryer vetëm punën e trajnerit të përkohshëm.

Megjithatë, norvegjezi ua ka bërë të qartë vendin e tyre në klub kësaj dysheje, që së bashku i kanë kaluar 17 vjet si lojtarë të Manchester Unitedit. Madje, kur Eric Bailly të kthehet nga lëndimi i tij, dy anglezët do të bien edhe më poshtë në radhitjen për vend në formacion të parë.

Solskjaer e pranoi se ai ka shumë qendërmbrojtës në skuadër dhe se nuk do të mundë t’i mbajë të gjithë të lumtur. Norvegjezi është i gatshëm ta largojë të paktën njërin ndër shtatë qendërmbrojtësit që aktualisht i ka në skuadër.

Matici është një tjetër futbollist që po vuan nga filozofia e Solskjaerit. Ai nuk po gjen vend në skuadër tani që ka filluar sezoni, pasi që trajneri u beson më shumë 23-vjeçarit Andreas Pereira dhe 22-vjeçarit Scott McTominay.

31-vjeçari Mata dhe kapiteni i skuadrës 33-vjeçar, Ashley Young, janë dy lojtarët tjerë që e kanë kuptuar se Solskjaer i preferon lojtarët e rinj me potencial të madh. Prej treshes Mata-Matic-Young, vetëm spanjolli luajti për pak minuta në dy ndeshjet e para të Premierligës.

Si 26-vjeçar, Fredi nuk është veteran i futbollit, mirëpo ai e gjen veten në një situatë të ngjashme: i lënë jashtë skuadrës për të dyja ndeshjet dhe mbetet vetëm një opsion shtesë, pas Paul Pobas, McTominayt, Pereiras dhe Maticit.

Alexis Sanchezi do t’i mbushë 31-vjeçar në dhjetor dhe ai ende nuk ka luajtur dhe Solskjaer do të lirohet nëse kiliani arrin ta kompletojë transferimin në Inter para 2 shtatorit, kur mbyllet afati kalimtar për klubet evropiane.

Pas disfatës 4:0 kundër Evertonit në prill, trajneri tha: “Unë do të jem i suksesshëm këtu dhe ka lojtarë që s’do të jenë pjesë e këtij suksesi”. Kjo deklaratë sugjeroi se shumë lojtarë do të shiten, por një gjë e tillë nuk ndodhi këtë verë. Kjo bëri që 46-vjeçari të kritikohet, pasi që ai konsideroj “i urtë” dhe pasi që nuk kishte bërë atë që kishte thënë se do ta bënte.

Megjithatë, me zgjedhjen e lojtarëve në skuadra të ndeshjes deri më tani, Solskjaer po e mban premtimin që e kishte dhënë në “Goodison Park”. Kur Crystal Palace të arrijë në “Old Trafford” të shtunën, priteni një Manchester Unitedi me lojtarë të rinj në moshë edhe këtë herë

Loading...