Ismail ARSLLANI

 

-Mësohet nga defterët osmanë, se minierat me xehe kromi të Orashës dhe Rogaçevës nga rajoni i Tetovës, i janë dhënë për shfrytëzim me koncesion hafëz Beqir Efendiut, për një periudhë prej 60 vjetësh, duke filluar nga viti 1902. -Në vitin 1890, nga kazaja e Tetovës janë rekrutuar për Ushtrinë perandorake 628 të rinj të moshës 20 vjeç. -Dita e tregut (e pazarit), me kërkesë të të krishterëve, ka ndërruar terminin në vitin 1857, nga e diela në të shtunën

Flower

Defterët osmanë “fshehin” në arkivat e Turqisë shumë të dhëna nga e kaluara historike për këto troje shqiptare të gadishullit Ilirik. Disa pjesë nga kjo histori e panjohur jepen ekskluzivisht në librin “Maqedonia nën pushtetin osman” (Osmanli yönetiminde Makedonya), të botuar në gjuhën turke në Ankara (2005), në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit (Arkivat osmane) të Republikës së Turqisë, që kanë të bëjnë me Tetovën, me përkthim të lirë nga autori i këtij shkrimi. Të dhënat që i sjell ky libër për Tetovën janë mjaft interesante.

Ndarja e gradës së avancimit për Mehmet Pashë Ruzhdiun nga Tetova: Për suksesin e treguar në punën e tij, është avancuar me gradë më të lartë Mehmet Pashë Ruzhdiu, i biri i Hasan Pashës nga Tetova, më 27 tetor të vitit 1883.

Tatime për pijet alkoolike në Tetovë: Duke filluar nga muaji gusht, tatimet e grumbulluara për pijet alkoolike në shumë prej 3.137 groshësh, do të dorëzohen në arkën për pije alkoolike në Stamboll, vendimi është nga 15 qershori i vitit 1828.

Privilegj për xehen e kromit në Tetovë: Për përpunim të xehes së kromit në fshatrat Orashë dhe Rogaçevë të Kazasë së Tetovës /Vilajeti i Kosovës/, i jepet privilegji Hafëz Beqir efendiut, në periudhë prej 60 vjetësh. Vendimi është lëshuar më 23 gusht të vitit 1902.

Defteri ushtarak në Tetovë: Defteri, në të cilin janë evidentuar të dhënat personale të të rinjve të lindur në Tetovë dhe rrethinë në vitet 1869-1870, të cilët i kanë plotësuar kushtet për shërbim ushtarak në Ushtrinë perandorake. Në listë janë evidentuar me emra e mbiemra dhe adresa banimi, gjithsej 628 të rinj të moshës 20 vjeç. Lista mban datën 31 korrik 1890.

Ndërtimi i objektit ushtarak në Tetovë: Me ndihmën e popullit, në Tetovë është ndërtuar një objekt me gjashtë dhoma për oficerë dhe ushtarë, si dhe një pavijon ushtarak për 200 ushtarë. Personat që kanë marrë pjesë në ndërtim janë shpërblyer me nga një distinktiv. Njoftimi mban datën 28 shtator 1907.

E shtuna, ditë pazari në Tetovë: Me qëllim që të krishterët të përcjellin pa pengesë predikimet e të së dielës në kishë, dita e pazarit (e tregut) në Kazanë e Tetovës, që i takon sanxhakut të Prizrenit, në vend se të dielën, do të mbahet të shtunën. Data 22 gusht 1857.

Pensionimi i mësuesit në Ruzhdije (gjimnaz i ulët) në Tetovë: Pas përmbushjes së kushtit për pensionim të mësuesit Hysein Efendiu nga shkolla Ruzhdije në Tetovë, atij i caktohet pensioni në shumë prej 100 groshësh, më datë 12 dhjetor 1910.

Shfaqje teatrore në Tetovë për ndihmë nxënësve të varfër: Lutje drejtuar Kajmakamit që të japë leje për dy shfaqje: “S’kuptohet” dhe “Kumarxhiu”, që me paratë e mbledhura të ndihmohen nxënësit e varfër në shkollën e femrave të lagjes “Varosh”, më 19 janar 1910.

 

Loading...