Vetëm tetë nga 23 kandidatë demokratë për zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020 u kualifikuan për debatin e tretë televiziv, që do të zhvillohet më 12 shtator në Hjuston dhe që do të transmetohet nga rrjetet informative ABC dhe Univision.

Ata janë ish-zëvendëspresidenti Joe Biden, senatorët senatori Bernie Sanders, Elizabeth Warren, Kamala Harris, Cory Boorker dhe Amy Klobuchar, kryetari i bashkisës së South Bend, Pete Buttigieg dhe ish-deputeti Beto O’Rourke.

Kandidatët e tjerë kanë edhe një muaj kohë për të përmirësuar dy kërkesat themelore për të marrë pjesë në debat.

Kërkesa e parë ka të bëjë me grumbullimin e kontributeve nga të paktën 130 mijë persona si edhe për të kaluar shifrën prej dy për qind në të paktën katër sondazhe mes 28 qershorit dhe 28 gushtit.