Mëngjesin e së dielës, besimtarë myslimanë u mblodhën në tregun e kafshëve, për ta përfunduar obligimin e Kurban Bajramit.

Për të përmbushur traditën e tyre fetare, besimtarët zgjodhën tregun e kafshëve në Prishtinë, si vendin kryesor për të blerë kurban, raporton KTV.

Qytetarë të mbledhur në këtë treg, ndajnë mendime të ndryshme për zgjedhjet dhe kushtet që ky i fundit ofron.

Ndërsa, për shumë qytetarë, cilësia e kurbaneve që ofron ky treg nuk është e kënaqshme dhe se shumë tregtarë po mashtrojnë qytetarët për prejardhjen e këtyre kurbaneve.

Por, për shitësit të cilët në këtë treg dalin njëherë në vit, thonë se kjo po ndodh për fajin e dikujt tjetër.

Përveç mundësive të ofruara për blerjen e kafshëve të ndryshme, në këtë treg bëhet edhe therja e kurbaneve të blerë.

E për thertoren brenda tregut, flasin vetë qytetarët, sipas të cilëve, kushtet e therjes dhe shërbimet e ofruara brenda saj, lënë shumë për të dëshiruar.

Ndërkaq, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari e Kosovës, ditë më parë u bëri thirrje qytetarëve që kurbanet e prerë të jenë në pajtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë.

Dhe, veç kësaj, ftoi ata që këtë veprimtari ta kryejnë vetëm në thertoret e licencuara nga Agjencia.

Mirëpo, përkundër kërkesës së tyre, edhe këtë vit, therjet e kurbaneve nëpër vende joadekuate e johigjienike vazhdojnë të ndodhin në masë të madhe.

Loading...
Global