Një grua është qëlluar për vdekje me një armë zjarri, nga bashkëshorti i saj.

Sipas njoftimit të Policisë të martën pas orës 23:00 në rrugën ‘Hysni Morina’ në Prizren, fillimisht qendra e thirrjeve në policinë e Kosovës ka pranuar një informacion dhe është raportuar për një plagosje.

Pas intervenimit nga policia dhe emergjenca e Prizrenit të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes është konstatuar për lëndimin e një viktime femër për të cilën mjeku ka konstatuar vdekjen si pasojë e lëndimit nga arma e zjarrit.

Njësitë e hetimeve dhe krim teknika në vendin e ngjarjes kanë gjetur viktimën si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm, transmeton KTV.

Me vendim të prokurorit është bastisur shtëpia e personit të dyshuar dhe policia ka arritur të gjejë armën e tipit revole ZIG M1, të kalibrit 9 mm si dhe 42 fishekë të kësaj armë.

Dyshohet se me të njëjtën armë i dyshimti ka kryer veprën penale të ‘vrasjes së rëndë’.

“Njoftohet se i dyshimti dhe viktima kanë qenë bashkëshortë. Në këtë rast është ndaluar në afat prej 48 orë personi i dyshimtë B.V i lindur në vitin 1958”, thuhet në njoftim.

Me vendim të prokurorit të shtetit trupi i pajetë është dërguar në IML për procedura të mëtutjeshme hetimore, ndërkaq me rastin po merren njësitë e hetimeve rajonale në Prizren.