Sunny Hill Foundation dhe Sunny Hill Festival nesër mbajnë konferencën e përbashkët për të prezantuar projektin “Sunny Hill Foundation Music & Art Center”.

Për të ndarë këtë lajm të rëndësishëm për qytetin e Prishtinës dhe jo vetëm, prezente do të jetë edhe Dua Lipa fituese e çmimeve Grammy dhe Brit Awards.

Sunny Hill Foundation ka ndarë një fond prej 150 mijë eurosh për të jetësuar qendrën kulturore për të rinjtë e cila do të funksionalizohet gjatë vitit 2020.

Sunny Hill Foundation dhe Komuna e Prishtinës do të nënshkruajnë marrëveshjen për dedikimin e hapësirës në Prishtinë, e cila me ndihmën e Fondacionit do të rikthehet përsëri në duart e rinisë prishtinase dhe asaj kosovare.

Për më shumë në këtë konferencë do të bëhet edhe shpalosja e bashkëpunimit të parë në mes të Sunny Hill Foundation dhe Institute of Arts and Innovation përfaqësuar nga Gëzim Gashi.

Tre të rinj nga Kosova do të kenë mundësi që përgjatë vitit 2020 të udhëtojnë në Los Anxhelos për një muaj, artistët e rinj do të përzgjidhen përfaqësues të Quincy Jones Production dhe Institute of Arts and Innovation.

Përmes këtij bashkëpunimi do të përfitojnë të rinjtë e Kosovës, duke iu mundësuar kështu hapjen e mundësive të reja dhe zhvillimit të talentit të tyre në SHBA.

Quincy Jones është artisti me i nominuar i të gjitha kohërave dhe njëherësh fituesi më i madh i çmimeve Grammy, me gjithsej 28 çmime të fituara.