Afati kalimtar i verës mund t’i sjellë edhe disa befasi për tifozët e Real Madridit. Situata e tensionuar mes Neymarit dhe Paris Saint-Germainit ka bërë që futbollisti t’i ofrohet Real Madridi, ndërsa dy klubet janë duke negociuar për 27-vjeçarin,

Por, si një lojtar i vlerësuar mbi 200 milionë euro dhe me një pagë prej 37 milionë eurove në vit, situata për Neymarin që po e kërkon largimin është e komplikuar. PSG-ja raportohet se ia kishte ofruar atë edhe Manchester Unitedit, mirëpo “Djajtë e kuq” e refuzuan këtë mundësi.

Tani që afati kalimtar për klubet angleze është mbyllur, Real Madridi ose Barcelona mbeten dy opsionet e vetme të Neymarit. Dhe nëse klubet e fillojnë një luftë ofertash për të, do të jetë vetë Neymari ai që do të përfitonte pasi që marrëveshje do të vijë më shpejt dhe me kontratë më të favorshme për të.

Një situatë e ngjashme ndodhi edhe kur Neymari u transferua në Barcelonë në vitin 2013. Braziliani e kishte arritur fillimisht një marrëveshje me Real Madridin e madje i kishte kaluar edhe testet mjekësore. Pastaj, Barcelona u shfaq dhe filloi ankandi, në të cilin triumfuan katalonasit. Tani, pas gjashtë vjetëve, kjo situatë mund të përsëritet.

Megjithatë, këtë herë Real Madridi do të tentojë ta ndryshojë rezultatin përfundimtar. Një gjë e tillë mund të ndodhë për shkak të lidhjes së mirë të presidentit të “Los Blancos”, Florentino Perezit, me përfaqësuesit e Neymarit dhe me presidentin e Paris Saint-Germainit, Nasser Al-Khelaifin.

Në anën tjetër, marrëdhëniet mes Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit nuk janë aspak të mira, veçanërisht gjatë viteve të fundit. E gjitha kjo filloi kur katalonasit tentuan t’ia marrin Marco Verrattin PSG-së, e cila iu përgjigj më ashpër, duke ia marrë me të vërtetë Neymarin.

Megjithatë, Barcelona këtë herë mund ta ketë epërsinë pasi që Neymari preferon të luajë përkrah Lionel Messit sërish. Edhe vetë kapiteni i Barcelonës ia ka kërkuar presidentit të klubit, Josep Maria Bartomeut, ta kthejë Neymarin në skuadër, sipas AS.