Neymar ka zbuluar se e parashikoi shënimin e dy golave në fitoren historike të Barcelonës (6-1) në Champions, ndaj PSG, në vitin 2017.

Humbja 4-0 e katalanasve në “Parce des Princes” u duk tejet komode për parizienët, por përmbysja në “Camp Nou” ishte vërtet historike, një mrekulli.

Neymar pretendon se gjithmonë besonte që Blaugrana-t do të fitonin në shtëpi dhe se ai do të luante rolin e tij në përmbysjen e një rezultati katastrofik në kryeqytetin e Francës.

“Dy miqtë e mi thanë se PSG kishte një ekip të shkëlqyeshëm. Dhe ata e treguan këtë në ndeshjen e parë, ishin të kualifikuar tashmë…, – tha 27-vjeçari për DAZN. – Por, unë u ngrita dhe thashë: Ju jeni miqtë e mi, ju punoni me mua, por duket se nuk besoni se mund ta kthejmë rezultatin. Ne do ta kthejmë këtë situatë dhe unë ju premtoj të shënoj dy gola. Ne ishim stërvitur në mëngjes dhe pashë fytyrën e secilit lojtar. Të gjithë ishin të lumtur, askush nuk ishte i shqetësuar për kthimin e situatës kundër PSG. Ne e dinim se do të ishte shumë e vështirë përmbysja e disavantazhit 4-0.

Biseda jonë kishte të bënte me të luajturit futboll, pasi gjithnjë ishte filozofia e Barcelonës për të luajtur futboll të mirë, për ta kthyer një lojë futbolli në shfaqje. Ne e dinim se do të fitonim. Nuk e dinim nëse do të kalonim në raundin tjetër, por e dinim se do të fitonim, sepse do të tregonim pjesën tonë më të mirë. Kur loja filloi, m’u duk një ndeshje ndryshe. Unë po i sfidoja të gjithë, duke vrapuar më shumë se kurrë. Ishte një nga ndeshjet më të mëdha, që kam luajtur ndonjëherë dhe një nga më emocionueset.

Ne i shënuam dy golat e parë shpejt, kështu që u karikuam psikologjikisht. E mbyllëm pjesën e parë me epërsinë 2-0. Na duheshin edhe dy gola të tjerë, për të shkuar në shtesë. Ne ishim shumë të qetë, shumë të përqendruar. Biseda e vetme, që mbaj mend se bëmë në dhomën e zhveshjes, në pushimin mes dy pjesëve, ishte: të ruajmë qetësinë. Ne nuk shqetësoheshim që të shkonim në raundin tjetër. Mendoj se kjo ishte arsyeja pse kemi luajtur me të vërtetë mirë atë ditë. Ne nuk ishim të dëshpëruar, ishim të qetë dhe të përqendruar.

Atmosfera pas golit të dytë ishte ndryshe. Ne pamë se tifozët po besonin. Ata vazhduan të bërtisnin, duke na inkurajuar. Messi shënoi golin e tretë. Unë fitova penalltinë, ai e ktheu në gol atë. Tifozët ishin në delir, ndërsa ne në fushë menduam: Le të shkojmë përpara, tani do të kualifikohemi. Në atë moment, pësuam një goditje, goli i Edinson Cavani. Kur pësuam golin, ne pamë se të gjithë ishim të pikëlluar. U bë më e vështirë, ishte praktikisht e pamundur.Të gjithë menduan se do të shënonim një gol tjetër, por tani duheshin tre të tillë.

Ende u përpoqëm të vazhdonim të luanim futbollin tonë, të shënonim gola, për të parë se çfarë do të ndodhte. Ne thjesht shpresuam të mos pësonim më. Goli i Cavanit i kishte komplikuar gjërat, sepse duhej të shënonim tre. Unë ende besova, ende dëshiroja t’i shënoja ato dy gola që iu premtova miqve të mi. Oh, kjo më jep tronditje, shumë emocione të forta, përfundimisht”.

Në minutën e 88-të, Neymar ka shënuar një gol spektakolar në këndin e majtë, për të përmbushur pjesën e parë të premtimit të tij, duke e çuar rezultatin 4-1 në favor të Barcelonës, edhe pse vazhdonte në shifrat 5-4, për PSG, në total. Momentet më vonë, Luis Suarez fitoi një penallti, të cilën e mori përsipër ta gjuante braziliani. “Doja t’ia jepja topin Leo, por Messi më tha që ta godisja unë penalltinë, – kujtoi Neymar. – Ai më tha: Jo, godite ti. Unë i thashë: Unë? Ai m’u përgjigj: Po, gjuaj ti. Mendimi im i vetëm ishte që nuk mund ta humbisja atë penallti, sepse do t’i jepja fund ëndrrës së stadiumit të mbushur plot e përplot për të kaluar në raundin tjetër.

Ishte penalltia, që më bëri më të përqendruar ndonjëherë. Faleminderit Zotit, që arrita të shënoj. Unë e mbajta premtimin e dy golave. Ky ishte momenti, kur mendova se e kishim në dorë kualifikimin. E pyeta Leon: Pse ma le mua penalltinë? Ai tha: Në atë moment ndjeva se do ta kthesh në gol, ti ishe më i sigurt. Unë mendoj se ai e kishte vërtet atë ndjenjë dhe rezultoi rregull. Ajo penallti solli mundësinë dhe forcën për të shënuar edhe golin e gjashtë e të kualifikimit.

Në atë ndeshje, goli më i mrekullueshëm ishte ai i Sergi Roberto. Ishte goli që na bëri ta kalojmë raundin, ishte goli që do të mbahet mend në histori. Edhe unë jam i lumtur që shënova dy herë, por goli i tij ishte i veçantë, bëri që të shpërthente “Camp Nou”. Unë mendoj se, për sa i përket eksitimit, për sa i përket të bërit të çmendur i të gjithëve, ky ishte goli më i paharrueshëm”. /