Romelu Lukaku e ka falënderuar Interin që luftoi gjatë gjithë afatit kalimtar të verës për ta transferuar atë nga Manchester Unitedi dhe e quajti Antonio Conten “trajnerin më të mirë në botë”.

Sulmuesi belg e kompletoi transferimin e shumëpërfolur nga Manchester Unitedi dje, në një marrëveshje në vlerë prej 80 milionë eurosh dhe “Djajtë e kuq” do ta marrin pesë për qind të shumës për të cilën mund të shitet Lukaku në të ardhmen,

Pasi ai kishte qenë shumë afër transferimin në Juventus – që kishte arritur marrëveshje me Manchester Unitedin për shkëmbim mes Lukakus dhe Paulo Dybalan – Lukaku u pyet pse zgjodhi të transferohet në Inter.

“Për shkak të projektit të klubit. Mendoj se Interi është një klub me shumë të mira. Mendoj se, për mua, kjo ishte diçka për të cilën kisha nevoja, një sfidë për ta ndihmuar një skuadër të ndërtohet për të ardhmen”, u shpreh Lukaku.

“Për mua, gjithçka që më duhet për të më ndihmuar e kam këtu dhe unë uroj që mund t’u ndihmojë bashkëlojtarëve të mi me punën time dhe përkushtimin ndaj këtij sporti”.

Conte kishte tentuar ta transferojë Lukakun edhe gjatë kohës sa kishte qenë trajner i Juventusit dhe Chelsea, kështu që sa e rëndësishme ishte prezenca e trajnerit italian në vendimmarrjen e tij?

“Shumë. Për mua, siç thashë edhe më parë, ai është trajneri më i mirë në botë. Ai është dikush që mund t’i bëjë lojtarët më të mirët gjatë gjithë kohës. Ju mund ta shikoni edhe rekordin e tij”.

“Unë gjithashtu dua ta falënderoj presidentin Steven Zhang dhe Giuseppe Marottan për besimin që ma ka dhënë, për të më sjellë këtu dhe jam shumë i kënaqur që po i bashkohem këtij klubi të bukur”.

Lukakus i është dhënë fanella me numër nëntë, të cilën gjatë gjashtë vjetëve të fundit e ka mbajtur Mauro Icardi.