Gjatë merkatos së futbollit, momenti që të gjithë presin më shumë janë zyrtarizimet e blerjeve. Kur një klub lajmëron në rrjetet sociale se operacioni ka shkuar mirë, atëherë mund të fillojnë festimet.

Për këtë arsye është normale që profilet e skuadrave më të rëndësishme të monitorohen vazhdimisht. Por duhet marrë parasysh diçka. Lëvizjet në merkato ndahen në të rëndësishme dhe më pak të rëndësishme.

Gjithsesi, klubet i lajmërojnë në të njëjtën mënyrë për të shmangur hatërmbetje të mundshme. Kështu, ku i dihet si do ta kenë pritur tifozët e Koln-it postimin e fundit të bërë në Twitter nga klubi gjerman. Nëpërmjet të cilit është zyrtarizuar blerja e një… cjapi.

Jo, nuk ka qenë një nga gabim nga ana e administratorit të rrjetit social. Përkundrazi, linku i postuar nuk është një shaka dhe të dërgon te faqja zyrtare e klubit në internet. Madje, nuk kanë munguar as deklaratat zyrtare të Alexander Wehrle, administratori i deleguar i skuadrës.

Koln, në fakt, ka lajmëruar blerjen e Hennes IX, që do të marrë vendin e maskotës së vjetër të ekipit, që natyrisht quhet Hennes VIII. Cjapi është simboli i klubit dhe Koln ka patur gjithmonë, siç tregojnë numrat, Hennes që jetojnë në kopshtin zoologjik të qytetit, por që në raste të veçanta përfaqësojnë skuadrën.

Hennes VIII e ka nisur kontratën e tij në 2008-ën, duke jetuar disa momente të rëndësishme, siç ka qenë Europa League. Por tani, për shkak të osteoporozës (sëmundje që prek kockat), ai është detyruar të tërhiqet dhe t’i lërë vend blerjes së re.

“Është e bukur që pasardhësi i Hennes VIII vjen nga kopshti zoologjik i qytetit. Kalimi i stafetës tregon se Koln është profesional dhe modern në menaxhimin e simbolit të tij”, ka shpjeguar drejtori i kopshtit zoologjik në faqen zyrtare të klubit.

Ndërkohe, administratori i deleguar i klubit të Bundesliga-s ka shpjeguar edhe si do të fillojë karriera e maskotës së re. “Hennes IX duhet tredhur, sepse ata të patredhurit mbajnë erë dhe janë shumë të egër”.

Në fund ka ardhur edhe një arsyetim me shije… marketingu. “Dhia e bën Koln-in unik në të gjithë botën dhe gjithë qyteti dhe tifozeria identifikohet me Hennes”.

Gjëja që mbetet për t’u bërë tani është prezantimi i Hennes me fanellën me numrin 9.