Dr.Bashkim Aliu

Për çdo vit muslimanët janë dëshmitarë të manifestimeve madhështore dhe gëzimit kolektiv, dëshmitar të gjallërisë e vizitave të ndërsjella  që bëhen këto ditë gëzimi e feste dhe disponimi mbarëpopullor që mbretëron me rastin e festave të muslimanëve.

Çdo popull i ka festat, traditat, momentet dhe ngjarjet me rëndësi historike të cilat i përkujton dhe me të cilat në një mënyrë edhe e identifikon dhe prezenton veten në arenën e madhe historike e botërore të zhvillimit të popujve, kulturave dhe civilizimeve.

Me dëshminë e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] muslimanët i kanë dy festa:Festën e Fitrit (Fitër bajramin) dhe Festën e Kurbanit (Kurban bajramin).

Transmentohet nga Enes ibën Maliku i cili ka thenë:”Arriti i dërguari i Allahut në Medine, ndërsa te ata ishin dy ditë të cilat festoheshin. I dërguari i Allahut pyeti:Çka janë këto dy ditë? Ata thanë:”Kemi qenë duke festuar në kohën e xhahilijetit (injorancës)”. I Dërguari i Allahut u tha:”Tashmë Allahu i Madhërishëm j’ua ka zavendësuar me më të mira se ato:Dita e Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit”[1].

Pikërisht këtu qëndron poenta e veçorisë së konceptit islam mbi festat.Ngase festat në mësimet islame nuk i janë lënë stihisë dhe pasioneve, por vetë akti i provimit të tyre nga ana e të Dërguarit të Allahut, dhe përcaktimi i kohës dhe mënyrës së tyre, nga autoriteti përkatës, i jep karakter spiritual, e jo thejshtë vetëm historik e dialektik.

FILOZOFIA E QENËSISË SË FESTËS NË ISLAM

Festat në këndvështrimin Islam, nuk e kanë thjeshtë vetëm dimensionin solemn dhe përkujtimor, por esenca e festës dhe filozofia e saj në Islam është shumë më e madhe, gjë që ai i cili thellohet pak më tepër në analizën e këtij fenomeni, nuk e ka rendë ta miratoj këtë konstatimin.

Kështu, që urtësia e Allahut që festat islame të pasojnë pas kryerjes së obligimeve dhe punëve të caktuara në Islam. Fitër Bajrami, vjen pas kryerjes së muajit të Ramazanit, gjegjësisht pas përfundimit të një detyre me rendësi në këtë muaj:Farzin e agjërimit, njërës prej shtyllave të Islamit. Ndërkaq, Kurban Bajrami, festohet në vazhdën e kryerjes së kushtit të pestë të Islamit-Haxhxhit, demonstrimit të solidaritetit islam përmes kurbanit dhe përkujtimit për domosdoshmërinë e kryerjes së llogarive të veprave të njeriut gjatë periudhës njëvjeçare. Bile është një specifikë e këtyre dy festave se, në namazin e sabahut, besimtari del prej shtëpisë së tij duke lexuar me zë tekbire-duke e madhëruar Allahun, që në një mënyrë është një punë që kryhet gjatë ditëve të Kurban Bajramit.

KARAKTERISTIKAT E KURBAN BAJRAMIT

Kurban Bajrami, dallohet me disa veprime të rendësishme që kryhen gjatë kësaj kohe, edhe atë si vijon:

 1.Haxhi

Kushti i pestë i Fesë Islame në të cilin demonstrohet uniteti, barazia, solidariteti, kultura, devotshmëria dhe madhështia e umetit të Muhamedit, paqja e Zotit qoftë mbi të (sal-lallahu alejhi ve sel-lem), ndaj popullatës muslimane.

Haxhi është kongres më i madh vjetor islam dhe botëror në të cilin takohen muslimanë të vendeve, profileve, drejtimeve juridike, ngjyrave, traditave dhe mentaliteteve të ndryshme, por të gjithë synojnë një qëllim: kryerjen e kushtit të pestë të Islamit-Haxhin dhe arritjen e kënaqësisë së Allahut të Madhërishëm.

Haxhi është moment ekskluziv i eliminimit të të gjitha diferencave: racore, klasore, sociale, etj. Aty janë të barabartë bujku dhe intelektuali, mbreti dhe robi, ministri dhe analfabeti, i bardhi dhe i ziu, i pasuri dhe i varfëri, të gjithë kanë veshje të njejtë: dy pëlhura të bardha të njohura si rroba të ihramit.

I Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem i ka trajtuar haxhinjtë delegacion të Allahut. Ai thotë:”Delegacioni i Allahut përbëhet prej tre vetëve:luftëtarit, haxhiut dhe atij që kryen umren”[2].

 2.Kurbani

Shikuar historikisht, sakrifica ka qenë një prej elementeve qëndrore në besimet e ndryshme, dhe permes sakrifikimit të realizuar në forma të ndryshme, njerëzit janë munduar t’i afrohen qenies hyjnore dhe të arrijnë grada të larta shpirtërore.

Mirëpo, për fat të keq te popujt e lashtë, praktika e sakrificës, ka patur pasoja tragjike, ashtu që me vete rrëmbeu jetën e shumë të rinjve dhe të rejave.

Islami i dha sakrifikimit kuptim krejt tjetër dhe formë krejt tjetër nga ajo që ekzistonte te popujt e lashtë. Një prej formave të sakrifikimit në Islam është institucioni i kurbanit, i cili është prej karakteristikave më të theksuara të festës së dytë Islame, sipas të cilit edhe e mori emrin, në gjuhën arabe i’du-l-ed-ha, apo festa e kurbanit, për shkak se në këtë ditë muslimanët në katër anët e botës therin kurbana.

Islami asnjiherë nuk legjitimon rituale të cilat nuk kanë domethënie apo thjesht janë vetëm formale, për çdo herë permes ritualeve pretendon pastrimin dhe edukimin shpirtëror, ngritjen psiqike dhe etike të besimtarit. Në kontekst të instruksioneve të përmendura duhet të kuptohet edhe institucioni i kurbanit.

Pra, kurbani është institucion fetar i cili, synim të vetin kryesor dhe objektiv parimor, e ka humanizimin e njeriut, pastrimin e tij shpirtëror, begatimin e tij me vlera dhe aspirata të larta, edukimin dhe kalitjen e tij.Thënë shkurt, përmes këtij institucioni tentohet të kontribuohet në formimin e personalitetit dhe bashkësisë së shëndoshë njerëzore.

Kurbani është simbol i devotshmërisë, nënshtrueshmërisë dhe dorëzimit ndaj Allahut të Madhërishëm.Kjo, ngase me therjen e kurbanit, te Allahu nuk arrinë gjaku dhe mishi, por nijeti-vendosmëria dhe motivi i njeriut në therjen e kurbanit, vullneti i tij i lartë për të arritur grada më të larta të përsosurisë shpirtërore.

Kurbani në vete ngërthen edhe karakterin mirënjohës dhe falenderues ndaj Allahut të Madhërishëm. Përmes therjes së kurbanit, njeriu i tregohet mirënjohës Allahut të Madhërishëm, dhe e falenderon Atë për të mirat dhe begatitë që ia fali.

Kurbani paraqet ngadhnjim të shpirtërores dhe fetares te njeriu, mbi materialen dhe neglizhencën fetare. Këtë, besimtari e domonstron me rastin e therjes së kurbanit, kur tregon qartë se për hirë të Allahut dominon mbi ndjenjat dhe pasionet dhe pranon të sakrifikojë për hirë të Allahut, dhe një prej formave të sakrifikimit është kurbani.

Krahas të gjitha dimensioneve tjera, kurbani ka edhe dimensionin social. Gjegjësisht, është dëshmi e preokupimit të njerëzve për njëri-tjetrin, dhe kujdesit që materialisht të ndihmohet njeriu. Me këtë bëhet edukimi i shpirtit të njeriut dhe afirmimi i tij. Kjo është një luftë, e njëkohësisht edhe ngadhnjim mbi egoizmin dhe daljen në skenën e madhe dhe humane të solidaritetit, ndihmës dhe bashkëpunimit ndërnjerëzor.

Kjo shihet qartë nga shumë deklarata të Muhamedit paqa e Zotit qoftë mbi të, ku ai u jep instruksione muslimanëve për distribuimin e mishit të kurbanit. Po ashtu, edhe me rastin e therjes së kurbanit, ai vazhdimisht u thoshte familjes së vetë: “A e keni ndarë mishin, a ka mbetur diçka pa u shpërndarë”, etj.

Kjo tregon se kurbani ka qëllim solidarizues dhe kujdes ndaj të varfërve.

Kurbani na paraqitet edhe në rolin e anijes historike e cila na bart në gjeneratat e mëparshme duke vënë në këtë mënyrë lidhje të fortë në mes gjeneratave të ndryshme historike. Kështu, kurbani na përkujton rastin e Pejgamberit të Allahut Ibrahimit paq e Zotit qoftë mbi të, me birin e tij Ismailin, paqa e Zotit qoftë mbi të, apo thenë më mirë gatishmërinë e Ibrahimit si prind nga njëra anë, dhe Ismailit, nga ana tjetër si fëmijë, që të sakrifikojnë më të shtrenjtën për hirë të Allahut.

Urdhëri i cili i erdhi Ibrahimit alejhisselam në ëndër që ta sakrifikojë- ta çojë kurban birin e tij Ismailin alejhisselam, aspak nuk u zhagit. Por, Ibrahimi alejhisselam menjëherë kaloi në hapa praktik, e po ashtu edhe Ismaili alejhisselam, posa iu kumtua nga babai i tij se ky është urdhër i Allahut, tregoi gatishmëri të bëhet kurban pa mos nguruar fare. Ai i tha babait të vet, ashtu siç përmend Kur’ani: <<…o babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do Allahu, prej të durueshmëve!>>(Es-Safat, 102).

Ky është një mësim i madh që duhet ta marrin muslimanët, prej këtij rasti, apo thenë më mirë prej kurbanit:Gatishmërinë e besimtarëve të denjë që të sakrifikojnë për ideale.

 3.Fundi i vitit

Një specifikë tjetër me rëndësi e cila e shënon këtë festë, e që nga shumë nuk është përmendur, është koha dhe muaji i kësaj feste. Kjo festë, ndodh në muajin e fundit të kalendarit lunar, që flet për natyrën e kësaj feje.

Islami me këtë e demonstron natyrën e tij kreative, gjegjësisht bilancin e vjetër të veprimtarisë së njeriut e lidh me dy institucione të cilat kërkojnë gatishmëri dhe mund moral e material: Haxhin dhe Kurbanin, të cilat njëherit janë edhe simbol i kulminacionit të nënshtrueshmërisë.

Viti hixhrij, mbaron duke tubuar muslimanët në solemnitetin madhështor të Kurban Bajramit dhe duke demonstruar unitetin mbarë Islam dhe ndërkombtarizmin e kësaj feje, në kryerjen e kushtit të pestë të fesë Islame-Haxhit.

Me adhurim, ibadet, sakrificë, solidaritet, humanitet, devotshmëri dhe bujari si dhe mësim nga përvoja dhe ndodhitë e kaluara historike, mbaron viti i kalendarit lunar.

Lutja jonë e fundit është:I gjithë falenderimi i vërtetë i takon vetëm Allahut, mbikëqyrës i botëve.

Loading...
Global