Facebook është në prag të shpërthimit të një tjetër skandali, që për nga përmasat dhe pasojat që mund të ketë për kompaninë e Mark Zuckerberg, mund të tejkalojë edhe skandalin e “Cambridge Analytica”.

“Bloomberg” publikoi një investigim, sipas të cilit, rrjeti më i madh social në botë jo vetëm që merr dhe ruan mesazhet zanore të përdoruesve të tij të aplikacionit “Messenger”, por ka pajtuar kompani të treta për transkriptimin e tyre.

Në investigim citohen një sërë burimesh anonime nga kompanitë e pajtuara nga Facebook për zbardhjen e përmbajtjes së bisedave të përdoruesve të “Messenger”. Njëri prej tyre, thotë “Bloomberg”, shpjegon se atyre nuk u thuhet as ku është realizuar biseda, as kur dhe as kush janë protagonistët e saj, por vetëm transkriptimi.

Flower

“Detyra është e thjeshtë, të dëgjojmë bisedat zanore (audio) të Facebook Messenger, shpesh me përmbajtje vulgare dhe më pas t’i zbardhim me shkrim këto biseda”, thotë një burim për “Bloomberg”.

Hamendësimet e para flasin për miliona përdorues të përgjuar në këtë formë, ndërkohë që vetë Facebook reagoi duke e pranuar këtë praktikë, minimizoi përhapjen e saj vetëm në një grup të kufizuar përdoruesish dhe tha se prej një jave e kishte ndaluar këtë.

Kompania tha gjithashtu se u ka marrë leje përdoruesve të Messenger, që i kanë dhënë “Ok” opsionit ku u pyeten nëse dëshirojnë që Facebook t’u transkriptojë bisedat audio në të ardhmen apo jo.

Por, mbetet e paqartë se për çfarë i hyjnë në punë Facebook bisedat zanore të përdoruesve të tij, por dyshimet janë se përmbajtja e tyre po zbardhet dhe dorëzohet tek zyrat e marketingut të kompanisë për t’u analizuar dhe përdorur në fushata marketingu në rrjet.

Facebook po punon për përditësimin e sistemit të vet të reklamimit dhe mesazhet audio mund të jenë pjesë e këtij përditësimi, duke shërbyer si “tinguj orientues” në shfaqjen e një reklame të “privatizuar” për përdoruesit e Messenger. Si shembull, nëse mes bisedave zanore të përgjuara nga Facebook janë përfshirë edhe përdorues shqiptarë dhe njëri prej tyre ka përdorur fjalën “biskotë”, atëherë nëse një tjetër thotë “biskotë” në një bisedë private pasi Facebook e ka regjistruar në sistemin e vet këtë fjalë, atij automatikish do t’i shfaqej në mbyllje të bisedës reklamimi i një lloji biskote, gjithmonë nëse mes “biskotës” dhe Facebook ka një kontratë marketingu.

Por, duket se para se të korrë frutet e sistemit të ri të marketingut në rrjet, Facebook do të korrë kritika, e me gjasë një tjetër gjobë të majme që mund të mbërrijë për shkelje të rënda të privatësisë së përdoruesve.

Komisioni i Mbrojtjes së të Dhënave në Irlandë, ku Facebook ka serverat qendrorë për Europën, njoftoi ditën e mërkurë se kishte nisur verifikimet për të përcaktuar nëse aktiviteti në fjalë i rrjetit sociale shkelte rregullat strikte të Bashkimit Europian sa i takon privatësisë.

Pasojat e para negative u prodhuan menjëherë pas këtij lajmi. Në bursën e Nju Jorkut, aksionet e Facebook u hapën ditën e enjte me 1.3 për qind humbje në vlerë.

Loading...