Agjenti i Romelu Lukakus është duke udhëtuar sërish drejt Londrës, për t’i rinisur negociatat me Manchester Unitedin, pasi që Interi është bërë gati ta bëjë edhe një ofertë përfundimtare për sulmuesin belg.

Gazetarët e famshëm italianë – Gianluca di Marzio dhe Fabrizio Romano – dhe Sky Sports Italia raportojnë se Interi nuk është i gatshëm të dorëzohet në tentimin për ta sjellë Romelu Lukakun në “San Siro”,

Tani, zikaltrit janë bërë gati edhe për një ofertë të re. Më herët, Interi kishte bërë oferta të shumta, më së shumti 60 milionë euro plus bonuse, për Lukakun, mirëpo Manchester Unitedi i kërkonte 85 milionë euro.

Mediat italiane pretendojnë se agjenti i Lukakus, Federico Pastorellos, udhëtoi drejt Anglisë për ta përfaqësuar edhe Lukakun, mirëpo edhe Interin, në takimin me drejtuesit e Manchester Unitedit.

Pas takimit me Manchester Unitedin, Pastorello pritet të takohet me presidentin e Interit, Steven Zhang, për ta kuptuar se sa para është i gatshëm t’i shpenzojë ai për qendërsulmuesin belg këtë verë.

Megjithatë, burimet e Sky Sports Italia thonë se Interi nuk dëshiron të përfshihet në negociata të padobishme me “Djajtë e kuq” dhe do të bëjnë ofertë zyrtare vetëm nëse u garantohet se oferta do të pranohet nga klubi anglez.

Edhe Juventusi mbetet i interesuar për 26-vjeçarin, edhe pse ata duhet fillimisht ta shesin Paulo Dybalan para se të mundë ta përballojnë financiarisht transferimin e Lukakus.