Interi ia ka dhënë fanellën me numër nëntë Romelu Lukakun, përderisa Mauro Icardit i kanë thënë drejtuesit e klubit ta gjejë një klub të ri, mes interesimit nga Napoli, Juventusi dhe Roma.

Lojtari më i shtrenjtë në histori të Interit, Romelu Lukaku, do ta mbajë veshur fanellën me numër nëntë në Inter gjatë sezonit të ri, pasi e kompletoi transferimin e tij në vlerë prej 80 milionë eurosh nga Manchester Unitedi, transmeton Gazeta Express.

Marrja e numrit të fanellës është hapi i fundit, pasi klubi ia mori gjatë sezonit të kaluar edhe shiritin e kapitenit, në luftën e hapur mes Interit dhe Mauro Icardit.
Përkundër që i është bërë e ditur, edhe publikisht e edhe privatisht, se nuk është pjesë e planeve të klubit për sezonin e ri, Icardi është duke i refuzuar të gjitha ofertat për t’u larguar nga “San Siro”.

Napoli mbetet favoriti për ta transferuar sulmuesin argjentinas, edhe pse të gjitha ofertat dhe tentimet e napolitanëve deri më tani janë refuzuar menjëherë nga Icardi.

Icardit i fle zemra te Juventusi, por një transferim i tillë mund të ndodhë vetëm gjatë ditëve finale të afatit kalimtar të verës, me gjasë në shkëmbim të Paulo Dybalas.

Corriere dello Sport raporton se tani edhe Roma është futur në garën për transferimin e Icardit. Për këtë transferim, klubet mund ta arrijnë një marrëveshje shumë shpejt, veçanërisht pasi që Interi është i gatshëm t’ia paguaj Romës 20 milionë euro e kërkuara për Edin Dzekon.