Eden Hazardi thotë se ka mësuar shumë nga ish-trajnerët e tij, Antonio Conte e Maurizio Sarri, mirëpo ka zbuluar se ai ndihet “në qiellin e shtatë” pasi që po luan nën urdhrat e idhullit të tij në futboll, Zinedine Zidane.

I transferuari këtë verë nga Chelsea e shënoi golin e tij të parë për “Los Blancos” në fitoren 1:0 në ndeshjen miqësore kundër Salzburgut të mërkurën. Të njëjtën gjë shpreson se do ta bëjë edhe kundër Romës të mërkurën,

Real Madridi do ta fillojë sezonin e ri të La Ligës një javë më vonë me ndeshjen kundër Celta de Vogos dhe Hazardi e shprehu mendësinë e tij pozitive para sezonit të ri, duke e lavdëruar trajnerin e tij.

“Si fëmijë, unë ëndërroja se ndonjë ditë do ta vishja fanellën e Real Madridit. Kur Real Madridi të troket në derë, ti mund ta bësh vetëm një gjë: Ta hapësh atë”, u shpreh Hazardi në një intervistë të dhënë për Corriere della Sera.

“Në Chelsea, unë i kalova disa vite të paharrueshme, por këtu po ndihem në qiellin e shtatë. Njëri nga idhujt e mi si fëmijë ishte Zinedine Zidane. E kisha një fotografi të tij në dhomën time dhe tani e kam mundësinë të stërvitem nga ai”.

“Mësova nga Sarri dhe Conte shumë. Ata janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, por e kanë një gjë të përbashkët: të dytë janë fitues. Ata e kanë një stil të caktuar të lojës dhe e dinë se si ta transmetojnë mesazhin e tyre te lojtarët”.