Mesfushori gjerman do të jetë pjesë e kampionit anglez deri në vitin 2023

Ilkay Gundogan ka nënshkruar kontratë të re katërvjeçare me Manchester Cityn, shkruan Gazeta Express.

Me këtë rast, mesfushori turk me pasaportë gjermane do të jetë pjesë e kampionit anglez deri në vitin 2023.

Pas negociatave që zgjatën disa javë, përfaqësuesi gjerman e nënshkroi kontratën e re pasi ajo aktuale do t’i skadonte verën tjetër.

Menaxheri i Cityt, Pep Guardiola e sheh 28 vjeçarin si pjesë kyçe të planeve të tij, ndërsa lojtari gjendet në moshën ideale të karrierës.

Gundogan ishte transferuar në City nga klubi i Bundesligës, Borussia Dortmund në vitin 2016 për afro 30 milionë euro.

Edhe pse nuk kishte hapësira të mjaftueshme në “Etihad Stadium”, Gundogan e ka arsyetuar besimin e trajnerit Guardiola sa herë që i është dhënë rasti për të luajtur.

Edhe pse kishte vuajtur nga dy lëndime serioze në gju, ish-futbollisti i Nurnbergut i ka fituar pesë trofe me Cityn duke realizuar 17 gola në 115 ndeshje me “Citizens”.