Uebsajti ndërkombëtar i futbollit, Goal.com, raporton se kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, është i gatshëm të luajë në ndeshjen e së dielës, kundër Real Betisit, duke e përshpejtuar kështu procesin e rikuperimit.

Sulmuesi argjentinas kishte munguar në ndeshjen hapëse të sezonit të ri të La Ligës, kundër Athletic Bilbaos, të cilën Barcelona e humbi me rezultat 1:0 për shkak të një goli akrobatik nga Aritz Aduriz,
Pasi që Luis Suarezi u detyrua ta lë atë ndeshje në gjysmë për shkak të një lëndimi dhe pasi që sot u mësua se Ousmane Dembele do të mungojë për pesë javë për shkak të një lëndimi tjetër, të gjitha përgjegjësitë për fazën e sulmit i ranë të riut në skuadër, Antoine Griezmannit.

Megjithatë, Barcelona e ka marrë një lajm të mirë sot, pasi që Goal raporton se Messi është i gatshëm të përfshihet në planet e trajnerit Ernesto Valverde për ndeshjet e radhës, përkundër që sot ushtroi ndaras skuadrës.

32-vjeçari pësoi lëndim në fillim të përgatitjeve me Barcelonën, pasi u kthye nga Kupa e Amerikës me Argjentinën. Që nga atëherë, ai ka qenë duke u stërvitur i vetëm, ndaras skuadrës së Barcelonës.

Megjithatë, tani ai do të kthehet në stërvitje pasi që blaugranët dëshirojnë t’i marrin pikët e para për këtë sezon të ri. Messi pritet të jetë në stol, i gatshëm për të hyrë në lojë nëse një gjë e tillë shihet si e nevojshme.

Kthimi i Messit do ta lehtësonte presionin mbi Griezmannin, pasi që të gjitha përgjegjësitë për fazën e sulmit ranë mbi francezin, pas lëndimeve të bashkëlojtarëve të tij dhe huazimit të Philippe Coutinhos në Bayern Munich. /

Loading...