Gazeta e madhe italiane, La Gazzetta dello Sport, pretendon se Paulo Dybala ia ka bërë të qartë Juventusit se nuk e dëshiron transferimin në Manchester Unitedin, duke e rrezikuar kështu ardhjen e Romelu Lukakus.

Dy klubet – Manchester Unitedi dhe Juventusi – dhe menaxheri i Romelu Lukakus janë pajtuar për një marrëveshje për shkëmbimin e lojtarëve. E vetmja pengesë tani është Paulo Dybala, transmeton Gazeta Express.

Burime të ndryshme të mediave italiane pretendojnë se Romelu Lukaku ka arritur marrëveshje personale me Juventusin, për nëntë milionë euro në vit. Megjithatë, transferimi i tij s’mund të kompletohet pa arritur marrëveshje edhe me Dybalan, që po i kërkon deri në 20 milionë euro në vit.

Tani, Gazzetta dello Sport raporton se për t’u arritur një gjë e tillë do të duhet një kohë më e gjatë, pasi që Dybala ia ka dhënë përgjigjen e tij të parë drejtuesve të Juventusit. Ai e ka refuzuar mundësinë të transferohet te “Djajtë e kuq”.

Dybala arriti në Torino të enjten në mëngjes nga Argjentina dhe ai shkoi drejt e në shtëpinë e vet, e jo në kampin stërvitor të Juventusit. Megjithatë, ai pritet të takohet me trajnerin Maurizio Sarri sot.

Sipas “Le 10 Sport”, njëra ndër arsyet prapa ngurrimit të Dybalas është mundësia që Paris Saint-Germaini t’i bëjë ofertë më vonë gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Në anën tjetër, Tuttosport, Goal dhe media të tjera raportojnë se Juventusi është i gatshëm t’ia japë Manchester Unitedit edhe Mario Mandzukicin, por ende nuk është i qartë roli i tij në këtë marrëveshje.

Kroati 33-vjeçar e nënshkroi një kontratë të re me Juventusin në prill dhe kjo kontratë është e vlefshme deri në qershor të vitit 2021. Megjithatë, ai nuk pritet të ketë vend në formacionin e parë të Maurizio Sarrit.

Për të janë interesuar edhe Bayern Munichu, Borussia Dortmundi dhe Paris Saint-Germaini, pasi që ai i shënoi dhjetë gola dhe i bëri shtatë asiste në 33 paraqitjet për Juventusit sezonin e kaluar.