Hetimet për zbardhjen e vrasjes së ndodhur mesditën e së enjtes në Durrës, nxjerrin detaje të reja përsa i përket Feriz Bardhit dhe autorëve. Këta të fundit, dyshohet se i kanë dhënë mesazh viktimës para se ta qëllonin

Xhentila Gjoshi

Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga atentati mafioz i ndodhur mesditën e së enjtes në lagjen numër 18, në qytetin bregdetar të Durrësit. Burimet nga policia, bëjnë të ditur se 15 sekondat e fundit para ekzekutimit, njëri nga atentatorët i është afruar viktimës dhe i ka dhënë një mesazh se nga kush i kishte plumbat. Feriz Bardhi cilësohej si rival në botën e krimit. Ndaj 40-vjeçarit, autorët qëlluan një breshëri plumbash, ku fillimisht ai mbeti i plagosur por ndërroi jetë në spital. Ndërkohë, përmbajtja e mesazhit të autorëve ndaj viktimës mbetet sekret për shkak të hetimit. Sakaq, mësohet se autorët kanë qenë dy persona, por vetëm njëri prej tyre ka marrë guximin për t’u afruar e t’i japë mesazhin viktimës, Feriz Bardhi. Ky mesazh, mësohet se është një nga provat më të fort që blutë e Durrës kanë për zbardhjen e këtij ekzekutimi. Kujtojmë që Feriz Bardhi, ishte dënuar më herët për trafikim të lëndëve narkotike në shtetin fqinj Itali. Aktivitet të cilin dyshohet ta ketë shtrirë edhe në Shqipëri duke krijuar konflikte me grupet rivale. Policia beson që edhe vendi i zgjedhur siç është shtëpia e viktimës për të kryer ekzekutimin, nuk është rastësore. Porositësit, nëpërmjet këtij veprimi kanë dashur t’i dërgojnë një mesazh të fortë edhe të tjerë personave të konsideruar “rival në botën e krimit”. Hetuesit e çështjes thonë se në automjetin që u gjet i djegur në Fushë Krujë dhe që u përdor nga autorët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes kanë gjetur prova që i shërbejnë hetimit. Një nga dy armët e gjetura në automjet është përdorur në eliminimin e 40-vjeçarit. Sendet e gjetura janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës. Gjurmë balistike apo edhe elemente të tjera po ekzaminohen, rezultatet e të cilave mbeten të dobishme për hetimin. Për llogari të hetimit policia ka shoqëruar mbi 35 persona, mes tyre dhe familjarë, dëshmia e të cilëve do të shërbejë për të zbuluar konfliktet e mundshme që 40-vjecari kishte me të tjerë persona. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së enjtes në lagjen numër 18, të qytetit të Durrësit. 40-vjeçari, babai i dy fëmijëve fillimisht u thërrit që të dilte jashtë shtëpisë, ndërsa më pas u qëllua me breshëri automatiku. Ai mbërriti i gjallë në spital, por ndërroi jetë sapo mjekët po ndërhynin në sallën e operacionit.