Ministrja e drejtësisë tha se nuk ka arritur kërkesa për ekstradim Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska tha se deri dje në Ministrinë e Drejtësisë nuk ka arritur kërkesa për ekstradim nga Serbia për Tomor Morinën nga burgjet e Maqedonisë së Veriut. Deskoska pohoi se sipas ligjit, kërkesa për ekstradim duhet të arrijë deri te Ministria e Drejtësisë më pas kërkesa dërgohet deri te gjykatat që vendosin. Procedura e deritanishme ishte që me kërkesë të Interpolit, Ministria e Punëve të Brendshme të ndalon personin që ka dashur të kalojë kufirin më pas Gjykata vendos. “Ne si Ministri e drejtësisë obligim të vetëm deri më tani e kishim që nëpërmes Ministrisë së punëve të jashtme t’i informojmë ambasadat, shtetas i të cilave është personi. Ka shtetësi të dyfishtë, të Britanisë dhe Kosovës dhe sipas procedurave ne kemi dërguar njoftim deri tek dy ambasadat të cilat janë në vendin tonë. Deri dje nuk kemi pasur kërkesë për ekstradim, vetëm nëse na ka arritur në ndërkohë. Sa të na arrij e njëjta ua dërgojmë gjykatave të cilat duhet të vendosin për rastin”, tha Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë. Ditë më parë, avokati i Morinës, Naser Raufi, për Tv21 tha se pret që klienti i tij të lirohet deri ditën e enjte./TV21