Lojtari i ri i Manchester Unitedit, Harry Maguire, dhe futbollisti i lënduar gjatë kohës së fundit, Paul Pogba, do të jenë titullarë për “Djajtë e kuq” të dielën në “Old Trafford” në ndeshjen kundër Chelseat, në kuadër të xhiros së parë të Premierligës.

Harry Maguire iu bashkua skuadrës së Manchester Unitedit të hënën për 80 milionë funte nga Leicester City, pas spekulimeve të gjata për një transferim të tillë jo vetëm këtë verë, por edhe afat e kaluara kalimtare,

Transferimi i tij u bë edhe më i nevojshëm pas lëndimit serioz që Eric Bailly e pësoi në fund të korrikut, duke ia bërë të pamundur trajnerit Ole Gunnar Solskjaer të mbështetet te ndihma e tij për rreth pesë muajt e ardhshëm.

Ndërkohë, e ardhmja e Pogbas ka mbetur paksa e paqartë këtë verë. Madje, mediat spanjolle spekuluan se ai nuk luajti në ndeshjen miqësore kundër Milanit në tentim për ta detyruar Manchester Unitedin ta shesë, përkundër që Solskjaer tha se mungesa e francezit erdhi si pasojë e një lëndimi në shpinë.

Megjithatë, tani Pogba është në formë të mirë fizike dhe ai do të jetë titullar në ndeshjen kundër Chelseat. Në formacionin e parë do të jetë edhe Maguire, i cili do ta veshë fanellën e “Djajve të kuq” për herë të parë në karrierë.

“Harry më ka lënë përshtypje, shumë madje. Ai ka ardhur këtu dhe menjëherë është vërejtur prezenca e tij. Ai është më i gjatë dhe më i madh sesa që kisha menduar. Ai do të ketë ndikim edhe te pjesa tjetër e djemve”, ka thënë Solskjaer.

“Harry është gati për të luajtur. Jam i sigurt se ai do të jetë i gatshëm kur t’i kërkoj të dielën të luajë sepse ai ka luajtur shumë ndeshje për Leicesterin gjatë turneut parasezonal. Është stërvitur mirë dhe duket në formë të mirë”.

“Paul, në fakt, na u bashkua menjëherë ditën pas ndeshjes miqësore me Milanin. Unë nuk doja ta rrezikoj atë dhe i thash të mos udhëtojë me skuadrën për atë ndeshje, mirëpo ai a u bashkua në ndeshjen kundër Blackburnit vetëm një ditë më vonë, prapa dyerve të mbyllura këtu”.

“Ai është i gatshëm. Të gjithë djemtë janë në gjendje të mirë. Ishte synimi ynë që ta bëjnë formacionin e parë me sa më shumë lojtarë në gjendje të mirë fizike sa të jetë e mundur. Natyrisht, lëndimi i Ericut është lajm i keq, por të gjithë të tjerët i kam në dispozicion”.