Artistja shqiptare me renome botërore, Dua Lipa, mbërriti ditën e enjte në Prishtinë.

Të premten, ajo mbajti një konferencë të hapur për media në Hotel Emerald në Prishtinë, ku të pranishëm ishin edhe babai i saj, Dukagjin Lipa, dhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Dua publikoi për 32.7 milionë ndjekësit e saj në rrjetin social Instagram disa fotografi nga konferenca e sotme, duke shkruar se ndjehet e lumtur që po arrin t’i përmbushë synimet që festivali “Sunny Hill” dhe fondacioni me të njëjtin emër kanë.

“Aq krenare që kam për të bërë gjëra të tilla me familjen time për qytetin tim! Faleminderit të gjithëve për mbështetjen dhe besimin e tyre në festivalin “Sunny Hill”, dhe fondacionin “Sunny Hill” që na lejojnë të bëjmë gjëra të tilla. Këtu jam me babanë tim Dukagjin Lipa dhe Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke folur për të gjitha gjërat në festival, duke i dhënë përsëri komunitetit tonë dhe duke njoftuar hapjen e SUNNY HILL ACADEMY! Jemi shumë të ngazëllyer për të marrë mundësinë që të hapim një qendër arti dhe inovacioni në qytetin tonë! 2020 do të jetë një vit i jashtëzakonshëm. FALEMINDERIT!”, ka shkruar Dua Lipa në Instagram.

Ajo përndryshe premtoi mbështetje për të rinjtë e Kosovës, veçanërisht me Sunny Hill Academy, që do të jetë pjesë e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë.

Përndryshe, festivali i organizuar nga babai i Duas, Dukagjini, “Sunny Hill” fillon sot (e premte) me natën e parë, ku mes shumë artistëve do të ngjitet në skenë edhe super ylli botëror, Miley Cyrus.