Vendim i guximshëm i UEFA-s për Superkupën e Europës, që do të zhvillohet më 14 gusht, në Stamboll, mes dy gjigantëve anglezë, Livepool dhe Chelsea (fituesi i Championsit dhe i Europa League-s). Për herë të parë në historinë e futbollit, në një finale të këtij niveli drejtësinë në fushë do ta vendosë një femër.

Bëhet fjalë për Stéphanie Frappart, gjyqtaren franceze, e cila ka arbitruar finalen e Botërorit të femrave mes Shteteve të Bashkuara dhe Holandës vetëm pak javë më parë.

Frappart arrin ta thyejë për herë të dytë tabunë: në muajin prill u bë femra e parë që vendosi drejtësi në një ndeshje të Ligue 1 mes Amiens dhe Strasbourgut.

Ashtu si në finalen e Botërorit të femrave, Frappart do të ketë si ndihmëse bashkëkombësen e saj, Manuela Nicolosi, dhe irlandezen Michelle O’Neal.

Turku i njohur, Cuneyt Cakir, do të jetë arbitër i katërt. “Në shumë raste jam shprehur se futbolli i femrave nuk ka kufij dhe jam i lumtur që Stephanie Frappart është përcaktuar për finalen e Superkupës. Si organizatorë të garës, i japim rëndësi të madhe zhvillimit të futbollit të femrave në të gjithë sektorët. Shpresoj që aftësia dhe devotshmëria që Stephanie ka treguar gjatë gjithë karrierës së saj të jetë frymëzim për miliona vajza në Europë,” – deklaroi presidenti i UEFA-s, slloveni Aleksander Ceferin.