Bashkimi Evropian (BE) ka emëruar bullgaren Kristalina Georgieva që të zëvendësojë Christine Lagarde-n si drejtoreshë e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), transmeton AA.

Georgieva, e cila aktualisht ushtron detyrën e shefes ekzekutive të Bankës Botërore, fitoi ndaj ish-ministrit holandez të Financave, Jeroen Dijsselbloem, pas dy raundeve të votimit.

“E përgëzoj Kristalina Georgieva-n për rezultatet e votave të sotme evropiane. I uroj suksesin më të madh”, shkroi Dijsselbloem në llogarinë e tij në Twitter.

Votimi erdhi pasi Lagarde muajin e kaluar dha dorëheqje nga posti i saj për të shërbyer në një rol të ri si kryetare e Bankës Qendrore Evropiane (BQE). Ajo ishte drejtuese e FMN-së që nga viti 2011.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, po ashtu uroi Georgieva-n në Twitter, duke theksuar se “Ju i keni të gjitha cilësitë e nevojshme për të dhënë një kontribut efektiv në misionin e FMN-së”.