Barcelona është duke u përgatitur për t’i nisur negociatat me Paris Saint-Germainin për transferimin e Neymarit gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Kampioni i Ligue 1 ka qenë insistues në çmimin për brazilianin. Drejtuesit e PSG-së nuk janë të gatshëm të pranojnë ofertën nën 222 milionë euro, të cilat i shpenzuan për transferimin e Neymarit nga Barcelona në vitin 2017,

Megjithatë, në këtë çmim mund të ketë lëvizje pasi që 27-vjeçari e dëshiron me ngulm kthimin në “Camp Nou” dhe gjiganti i La Ligës është i gatshëm ta bëjë një ofertë zyrtare për brazilianin gjatë ditëve në vazhdim, raporton Goal.com.

Kjo verë ka qenë e dominuar nga spekulimet për të ardhmen e Neymarit, pasi presidenti i klubit katalonas, Josep Maria Bartome, tha publikisht se ish-ylli i Santosit dëshironte të largohet nga parisienët.

Përderisa, që nga atëherë, Neymari është kthyer në stërvitje me klubin francez, ai nuk ka luajtur asnjë rol në përgatitjet e tyre parasezonale dhe ishte në tribunë sot, kur PSG-ja triumfoi në Superkupën e Francës kundër Rennes.

Burimet e Goal.com kanë thënë se klubi i Ligue 1 është i vetëdijshëm për dëshirën e lojtarin për t’iu bashkuar sërish skuadrës së Barcelonës. Transferimi mund të ishte kompletuar qysh më parë nëse blerësit nuk do të kishin qenë katalonasit.

Kjo për shkak të marrëdhënieve të tensionura mes dy klubeve që kur Neymari e mori vendimin për t’u larguar nga Barcelona, në rrethana paksa tronditëse, dhe të transferohet në Francë.

Si rezultat, PSG-ja nuk do t’ia bëjë të lehtë klubit të Ernesto Valverdes ta transferojë brazilianin, megjithatë ata janë të vetëdijshëm për ndikimin negativ që mund ta ketë e gjitha kjo situatë në skuadër para fillimit të sezonit të ri.