Në dy kontrolle të cilat i ka zbatuar policia nëpër objekte hotelierike në Pollog, janë zbuluar më shumë femra të cilat kanë punuar si valltare dhe këngëtare.

Sipas MPB-së, në mëngjes në fshatin Çegran, në një objekt hotelierik, pronë e A.N. (49) nga Çegrani, gjatë aksionit policor, janë arrestuar 11 femra, prej të cilave shtatë nga Shqipëria, një nga Kosova dhe tre nga Maqedonia e Veriut. Ato janë arrestuar në stacionin policor Gostivar për procedurë të mëtejme.

Në aksionin e dytë në fshatin Zhelinë, Tetovë, në një objekt hotelierik pronë e J.F. (42) nëpunësit policorë kanë arrestuar tre shtetase shqiptare.

Gjatë fotodokumentimit të ngjarjes nga krim – tekniku nga SPB – Tetovë, personi SH.I (48) nga Zhelina, i cili ka qenë mysafir në objekt, e ka prishur rendin dhe qetësinë publike, për të cilin shkak edhe ai u arrestua.

Në procedurën e ngritur kundër të gjithë të arrestuarve, do të konfirmohet involvimi i tyre në tregtinë eventuale me njerëz dhe qëndrimit joligjor në vend. Pas përfundimit të procedurave, shtetaset e huaja do të dërgohen në sektorin për krim tejkufitar, migrime, të huaj dhe riatdhesim.