Ta transmetosh dhe pranosh si sukses ekonomik lëvizjen e pagës mesatare neto, duhet të jesh ose kryeministër ose ministër i ekonomisë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, por assesi qytetar që efektin e lëvizjeve të tilla të pagës nuk e heton përderisa paralelisht rriten edhe shpenzimet e jetës.

Lëvizja e pagës mesatare neto është pasojë ligjore e ngritjes së pagës minimale që obligon sektorin privat dhe e njëjta nuk ndikon në standardin e jetës së qytetarëve. Mos  flasim për ata që nuk janë të punësuar fare.

Çka ndodhë realisht në ndërkohë me shpenzimet e jetës?

Sipas Entit shtetëror për statistikë, shpenzimet e jetës krahasuar me të njëjtën kohë të vitit paraprak vazhdimisht kanë shënuar rritje. Kështu, në qershor të 2019, shpenzimet e jetës janë rritur për 0,3% , në maj për 1,4%, në prill për 1,9%, në shkurt kishte rritje tjetër prej 1,4%, janari ishte më i shtrenjtë për 1,1% krahasuar me muajt e njëjtë të vitit 2018.

Duhet pasur parasysh faktin që lëvizja e pagës mesatare neto prek të punësuarit vetëm në disa sektorë ndërsa rritja e shpenzimeve të jetës i përfshin produktet që i shfrytëzojnë të gjithë kategoritë e qytetarëve siç janë: buka, drithërat dhe produktet tjera prej brumi që disa herë kanë shënuar rritje si në maj 2019 kur çmimi i tyre u rrit për 0,9%, në prill për 0,5%, në shkurt 0,2% në janar 0,4%. Vaji dhe yndyrnat janë shtrenjtuar disa herë si në maj për 0,2%, prill poashtu për 0,2%, mars për 0,1%. Rritja e shpenzimeve ka prekur edhe shumë produkte dhe shërbime tjera në mesin e të cilave edhe shërbimet mjekësore të cilat nga janari i 2019 për 8,5% janë më të shtrenjta.

 Prandaj, në vend që të manipuloni me barkun e qytetarëve, qasjuni seriozisht problemit. Shqyrtoni seriozisht mundësitë e tërheqjes së investimeve të huaja dhe nxitjes së kompanive vendore për eksport në botën e jashtme, sigurisht nëse deri atëherë do të ketë mbetur fuqi punëtore në vend.