Ruben Loftus-Cheek ia ka dhënë dhuratën e parë trajnerit të ri, Frank Lampardit, duke nënshkruar kontratë të re afatgjatë në Chelsea.

Mesfushori anglez, i cili kishte kontratë me klubin londinez edhe për dy vjet të tjera, e ka nënshkruar një kontratë të re pesëvjeçare, që e mban atë në Chelsea deri në vitin 2024, transmeton Gazeta Express.

23-vjeçari u bë i rregullt në mesfushën e Chelseat gjatë fundit të sezonit të kaluar, 2018/19, pasi u tregua i suksesshëm gjatë periudhës sa ishte i huazuar në Crystal Palace, gjatë sezonit 2017/18, kur i bëri 24 paraqitje në Premierligë.
“Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur që do të qëndroj këtu edhe për pesë vjet të tjera. Ky është vendi ku jam rritur dhe shpresoj se do të luaj këtu edhe për një kohë të gjatë”, u shpreh Loftus-Cheek.

“Si tetë apo nëntë vjeçar, natyrisht që ti nuk mendon kurrë se do të jesh këtu për një kohë të gjatë sepse ti vetëm dëshiron ta shijosh kohën tënde dhe të luash me shokët e tu”.

“Kur unë e kthej kokën prapa dhe e shoh se si më është shpaguar puna e madhe që e kam bërë, është një ndjenjë e mirë. Kjo vetëm më bën të dëshiroj të punoj edhe më shumë për të arritur më shumë në të ardhmen”.

“Unë vetëm dua të fitoj edhe më shumë trofe me skuadër dhe personalisht dua të bëj sa më mirë që të jetë e mundur dhe të punoj që të bëhej lojtar i rëndësishëm për Chelsean”.

Loftus-Cheek është ende duke u rikuperuar nga lëndimi në kyçin e këmbës, të cilën e pësoi në maj dhe që e la atë jashtë fushës në finale të Ligës së Evropës dhe në finalet e Anglisë në Ligën e Kombeve. Ai pritet të mungojë edhe në fillim të sezonit të ardhshëm