Kryeministri Ramush Haradinaj e ka shkarkuar sot zëvendësministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shukri Maxhunin, pasi para dy ditësh dolën disa fotografi të tij duke mbajtur këmbët në dritare të veturës zyrtare.

Pa përmendur arsyen, Haradinaj ka njoftuar me një fjali në Facebook për shkarkimin e zëvendësministrit, shkruan Insajderi.

“Sot kam liruar nga detyra zëvendësministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shukri Maxhuni”, ka shkruar Haradinaj.

Pas publikimit të fotografive që tregonin veprimin aspak të hijshëm në veturën e shtetit, Gazeta Insajderi raportoi se vetura zyrtare në të cilën shihej një person i cili i kishte vendosur këmbët në dritaren, ishte vetura zyrtare e zëvendësministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Shukri Maxhuni.

Po ashtu Insajderi kishte raportuar se si Shukri Maxhuni kishte uzurpuar banesën në Lagjen Dardania.

Për 12 vjet, Maxhuni kishte jetuar në një banesë të uzurpuar në lagjen “Dardania” në Prishtinë, pronë e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB).