Hamdi Nuhiju

Ka më shumë se një muaj që tema e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare po flitet haptas nga të gjitha palët në skenën politike shqiptare dhe maqedonase në Maqedoninë e Veriut. Po bëhen matjet e rejtingut të partive politike, po ndodh strukturimi i disa partive si dhe përgatitja për t`u përballur në betejën e ardhshme politike të dy formacioneve pozitë-opozitë, por tashmë krejtësisht në rrethana tjera.

Për përcjellësit e ngjarjeve politike në Maqedoninë e Veriut është e habitshme se si për thuajse dy vite të ndryshojnë aq shumë rrethanat, njerëzit të zhgënjehen nga disa vendime për disa pozicione të caktuara dhe për amnisti pakushte ndaj koalicionit qeveritar BDI nga ana e LSDM-së dhe liderit të saj Zoran Zaev.

Zoran Zaev e ka nuhatur saktësisht pozicionin dhe kërkesën kryesore të opozitës maqedonase dhe shqiptare dhe për këtë arsye në lojën “tre hapa” po tenton që t`i ofroj “Kalin e Trojës” duke mos e dëshiruar aspak përballjen me besimin e qytetarëve.

Në lojën “tre hapa” Zoran Zaev paralajmëroi se nëse nuk marrim datë në tetor për nisjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE do të shpallte zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Pastaj e hodhi në skenë “Kalin e Trojës” dhe Zoran Zaev tha:” Kemi vendosur kështu me qëllim që që të dërgojmë mesazhin te vendet anëtare të BE-së se nuk do të lejojmë edhe njëherë të kthehet nacionalizmi, radikalizmi dhe populizmi në Maqedoninë e Veriut. Nuk do të lejojmë që sërish të ndahet shoqëria dhe të konfrontohet me të gjitha shtetet fqinjët. Ne ia kemi arritur qëllimit, deri në fund të vitit besojmë se do të marrim datën andaj do të shkojmë vetëm në riformatimin e qeverisë, jo më shumë se të tetë ministrive”.( Radio Evropa e Lirë, 16, qershor, 2019)

Kanë nisur edhe të shpërthejnë “bombat” e El Chekës kundër BDI-së me një strukturë të logjikshme e cila saktësisht do të diktonte kohën e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. “Bombat” që po tentojnë ta nxënë mat BDI-në e Ali Ahmetit po shndërrohen në aksione guerile, si dhe protesta të cilat deri më tani haptas nuk kanë pasur përkrahjen e opozitës shqiptare.

BDI duke tentuar që t`i frenoj me kohë këto bomba, po i përdor të gjitha mekanizmat shtetëror duke kërcënuar dhe shantazhuar edhe familjen e El Chekës, por edhe duke u munduar që të pamundësoje përhapjen e atyre bombave të cilat deri më tani janë shpërndarë si rrufe në çdo shtëpi të banueshme në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë periudhës së kampanjës për referendumin për ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë, si dhe zgjedhjeve presidenciale, BDI-ja arriti që të ristrukturonte partinë e saj, Forumin e Gruas, Forumin Rinor si dhe kryetarët e degëve. Ka bërë përgatitjet e nevojshme organizative për t`u përballur edhe në një betejë politike e cila nuk do të jetë aspak e lehtë. Por, edhe ajo në stilin e njëjtë të Zoran Zaevit, në lojën “ tre hapa” deklaroi se janë për zgjedhje të parakohshme parlamentare por për në muajin maj ose qershor të vitit 2020.

Kjo është skema e lojës “tre hapa” e BDI-së e shprehur përmes deputetit Artan Grubi:

” Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë temë mes liderëve partiakë. Sigurisht që viti i ardhshëm është vit zgjedhor. E dimë që zgjedhjet e rregullta janë në dhjetor, por besoj se në negociata me partitë tjera politike do të gjejmë mirëkuptim që fushata të zhvillohet pak më herët, që zgjedhjet të mbahen shumë më herët. Duhet të keni parasysh se edhe në pajtim me Ligjin për Qeverinë duhet të kemi qeveri teknike 100 ditë para zgjedhjeve, kështu që nëse i kemi parasysh gjithë këto afate, do të shihni se sivjet zaten nuk janë të mundshme zgjedhjet e parakohshme parlamentare, e nuk janë as të preferuara sepse presim ta rrumbullakojmë procesin e anëtarësimit në NATO dhe të marim datë për anëtarësim në BE”. (Ilirianews, 10, korrik,2019)

Por “Kali i Trojës” i BDI-së ende nuk ka dal sheshas, gjë që presim në javët ose muajt e ardhshëm ta kuptojmë ne dhe opozita shqiptare.

Përndryshe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela në vazhdimësi është duke tentuar që të krijoje momente të favorshme për t`u shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ai disa herë ka përmendur këtë kërkesë, por ne veçuam atë të datës 25 maj 2019 në një intervistë për Radion Evropa e Lirë: ” Nëse marrim parasysh faktin se njëra ndër çështjet më të rëndësishme për Bashkimin Evropian janë reformat në sistemin gjyqësor, PSP e kështu me rradhë, atëherë të konkludojmë se arsyeja që ndoshta nuk do të marrim datë është fakti që BDI është në koalicion me LSDM-në dhe ai është faktori i cili pamundëson të ndodhin reformat e vërteta në aspektin juridik në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Dhe duke pasur parasysh që zgjedhjet përfundimisht do ta kthejnë demokracinë në shoqërinë shqiptare dhe BDI do të shkoj në opozitë, mendoj se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të përshpejtojnë anëtarësimin në e Maqedonisë së Veriut në BE.”

Edhe opozita maqedonase ka përmendur disa herë kërkesën për dorëheqjen e Zoran Zaevit e sidomos pas skandalit me komikët ukrainas të paraqitur si ish presidenti Poroshenko dhe Stoltenberg.

Në anën tjetër, ambasadori francez Timonie ka qenë i hapur në lidhje me temën e marrjes së datës së nisjes së bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE duke u shprehur me tone jo optimiste si dhe me kritika direkte për probleme të brendshme politike sidomos në Komunën e Strugës.

Megjithatë në Maqedoni janë bërë aq shumë eksperimente saqë nuk do të habiteshim me asgjë.

Loading...