Konfirmim për marrëdhëniet e mira miqësore mes dy vendeve, posaçërisht në pjesën e ekonomisë dhe përcaktimit për zhvillim të bashkëpunimit dhe inkurajimit të investuesve nga Turqia për investime të reja në shtetin tonë u shprehën në takimin e sotëm të kryeministrit Zoran Zaev, me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Mevlut Çaushogllu.

Siç kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp, në takim u përshëndetën arritjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut në planin e integrimeve dhe u shprehën urime për mbylljen e çështjeve bilaterale me fqinjët. Është shprehur mbështetje për rrugën e hapur të shtetit tonë drejt NATO-s dhe drejt BE-së. Gjithashtu, u transmetuan përshëndetjet nga presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan drejtuar kryeministrit Zaev.

Kryetari i Qeverisë, Zaev, shtohet, e konfirmoi ftesën nga presidenti i shtetit, Pendarovski për vizitë të presidentit turk Erdogan në Republikën e Maqedonisë së veriut.

“Ky proces integrues ka për qëllim të sjellë benefite ekonomike për qytetarët. Prandaj punojmë me përkushtim në integrimet drejt NATO-s dhe BE-së, por fuqimisht jemi të kahëzuar edhe drejt ekonomisë dhe masave që do të sjellin përfitime të drejtpërdrejta financiare për qytetarët. Republika e Turqisë është mike e madhe dhe partner ekonomik i vendit tonë dhe në atë drejtim shohim mundësi ta thellojmë bashkëpunimin”, tha kryeministri Zaev.

Në drekën e punës, ceket, u konstatua se reformat në sistemin gjyqësor dhe funksionimi i shtetit juridik janë me rëndësi edhe për qytetarët e vendit edhe për perspektivat evropiane.

Në takimi në të cilin Zaev u shoqërua nga zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar osmani dhe Elvin Hasan, ministër pa resor i angazhuar për investime të huaja, ndërsa Çaushogllu nga delegacioni turk dhe nga Tulin Erkal Kara, ambasadore e Republikës së Turqisë në vend, është biseduar edhe për bashkëpunimin e mirë në arsim dhe për mundësitë për bashkëpunim në fushën e energjetikës.