Dr.Bashkim Aliu

Që nga rrëzimi i kryetarit të parë të zgjedhur me vota të lira, Muhamed Mursi, pas rënies formale të regjimit të ish presidentit autoritar Husni Mubarek, populli i Egjiptit është duke vjelur therra dhe frute tjera të hidhura, të mbjellura nga forcat ushtarake të cilat e udhëhoqën grushtshtetin e planifikuar të 30 Qershorit të vitit 2013. Me një mllef të pa parë për revolucionin e Janarit të vitit 2011, ushtria egjiptase e rekrutuar dhe mobilizuar me të gjitha mekanizmat e mundshme për t’u hakmarrë ndaj popullit të Egjiptit për rrëzimin e shërbetorit besnik të ndërtuesve të Lindjes së Mesme të re, konform interesave gjeostrategjike të thirrësve të rendit të ri botëror, pa pikë mëshire dhe ndjenjash, u lëshuan me një egërsi të llojit të vet mbi protestuesit të tubuar në sheshin legjendar Rabia el-Adevije, dhe në sheshe tjera anekënd Egjiptit, në mbrojtje të vullnetit dhe votës së lirë të popullit të Egjiptit, të cilët u shprehën me vullnetin e lirë që president i Egjiptit të jetë Muhamed Mursi. Ishte e domosdoshme për ushtarakët e përfaqësuar nga Sisi, të ngarkuar me mision të caktuar nga forca të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare, që fillimisht ta eliminonin nga skena politike kryetarin e zgjedhur me vota të lira Muhamed Mursi, si dhe ta shpallin organizatë terroriste njërën nga organizatat islame më të mëdha dhe më të njohura e më të mëdha në Egjipt në veçanti, dhe në botën arabe dhe islame, dhe në botë në përgjithësi, organizatën e Vëllezërve Muslimanë, me qëllim që ta pastrojnë terrenin për ardhjen në pushtet të forcave laike, ngase kjo forcë titanike, u tregua se është e vetmja e aftë tu del në ballë këyre forcave servile ndaj kauzave të huaja. Me këtë rast, ishte e domosdoshme të gjinden forca të cilat, nga pamja e jashtme, duken se përfaqësojnë një forcë islame, pa marrë parasyshë sa është pesha e tyre e vërtetë në mesin e popullit, dhe të destinohen për përdorim afatshkurt, që grushtshteti të merr pamje të mbështetjes së gjërë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, përfshi këtu edhe shtresën e njerëzve të cilët i quajnë fetarë. Kjo edhe ndodhi duke e instrumentalizuar partinë e en-Nur, e cila dirigjohet nga jashtë, e jo nga brenda prej Egjipti, varësisht prej interesave gjeostrategjike të forcave të ndryshme rajonale dhe më gjërë, në botën arabe. Ndodhi kjo me 3 Korrik, kur pa fije turpi, përfaqësuesi i partisë në fjalë, doli përkrah ushtarakut, i cili më pas i vrau muslimanët duke bërë sexhde në namazin e sabahut, dhe duke qëndruar në sheshin Rabia el-Adevije, duarthatë dhe pa ushtruar dhunë mbi askend.
Dhe tash, gjashtë vite pas grushtshtetit, ja disa të dhëna të frutave të hidhura të vjelura nga pushteti i instaluar pas grushtshtetit në Egjipt:
-Burime të ndryshme flasin se për nji vit, në Egjipt pati 3200 viktima, si rezultat i rezistencës kundër grushtshtetit. Ushtria e vrau popullin e vet të pa dëgjueshëm ndaj urdhërave të grushtshtetit, dhe ky numër i madh i viktimave, nuk mbahet mend që nga koha e pushtetit të faraonëve në Egjipt.
-Nga dhuna e grushtshtetit, mbetën të lënduar mbi 18.500 qytetarë të Egjiptit, kundërshtarë të grushtshtetit.
-Si asnjiherë më parë, në këtë mënyrë barbare, në burgjet e Egjiptit u dërguan 41.000 qytetarë të Egjiptit, kundërshtarë të grushtshtetit, burra e gra, dhe persona të profileve të ndryshme, si:mjekë, inxhinierë, juristë, profesorë, teologë, etj.
-3048 qytetarë të Egjiptit, liderë të organizatës Vëllezërit Muslimanë, gjinden në burgjet e Egjiptit, për shkak të refuzimit të gjunjëzimit para grushtshtetit.
-Gjykatat e Egjiptit, të njohura që nga kohët më të hershme për gjykime dhe dhunim të njerëzve të pafajshëm e me dinjitet, siç ishte rasti me dënimin e të dërguarit të Allahut, Jusufit a.s. me burg, bënë presedan, duke dënuar me vdekje 1200 qytetarë të Egjiptit, të cilët e ngritën zërin kundër grushtshtetit.
-U dhunuan femra, për çka reaguan edhe organizata të ndryshme ndërkombëtare, duke dëshmuar kështu se regjimi i instaluar nga grushtshteti, do ta prek edhe më të ndieshmen te muslimanët, për të futur frikë dhe tmerr, që mos të ngritet zëri kundër tij.
-Derisa figurat e shquara të revolucionit të 25 Janarit të 2011 kundër regjimit të Mubarakut, burgosen dhe dënohen me vdekje, nga ana tjetër, figurat e korruptuara dhe me dosje të trasha kriminele të regjimit të Mubarakut, lirohen prej burgu dhe shpallen të pafajshëm.
-Pushteti i instaluar pas grushtshtetit, është një nga nxitësit dhe mbështetësit kryesor të grupeve kriminele në Libi, të cilët janë duke shkaktuar gjakderdhje të mëdha të pakuptimtë në mesin e popullatës së Libisë. Shto kësaj edhe rolin destruktiv të këtij pushteti në Sudan, Jemen dhe gjetiu.
Këto që zumë në gojë janë vetëm disa fakte të cilat flasin për punën e grushtshtetit në Egjipt, dhe për “përfitimet” e hidhura të popullit të Egjiptit nga ky grushtet i egër dhe gjaksor. Mirëpo, as regjimet e mëparshme diktatoriale në botën arabe dhe në botë në përgjithësi, nuk kanë mundur të mbijetojnë çdo epokë historike. Të gjithëve u  ka ardhur fundi. Edhe këtij regjimi që mban përgjegjësi për tërë atë krim, dhunë dhe masakër të ushtruar mbi popullin e Egjiptit, do t’i vjen fundi, ngase zullumqarët e kanë humbjen e sigurtë. Kjo periudhë është periudhë e sprovave ku testohen besimtarët e denjë të cilët nuk gunjëzohen para tiranit, dhe ata të cilët luhaten,  si filizi i hollë, varësisht kah fryn era.
Për Egjiptin biseda për këto ngjarje ka traditë, ngase vazhdon të jetë aktuale në ligjërimet fetare rasti i Musait me Faraonin. Lum për ata që u renditën në anën e Musait, e mjer për ata që vrapojnë të renditen në anën e Faraonit.