Familjarët e prisnin t’u sillte bukën në shtëpi që të gjithë së bashku të drekonin, por babai i tre fëmijëve mbeti i vrarë me dy plumba nga një sherr mes disa të rinjve në momentin që doli nga furra dhe u nis drejt shtëpisë.

Bashkëshortja, dy vajzat dhe djali i tij e morën vesh lajmin nëpërmjet televizorit dhe pavarësisht se identifikimi u bë me disa minuta me vonesë, familjarët e kuptuan se viktimë kishte mbetur 50-vjeçari.

Familjarët e Ramazan Hasanlliut kanë hapur dyert e mortit, ndërsa tregojnë për gazetën “Panorama” dhimbjen që ndiejnë për humbjen e kryefamiljarit. Shefqet Hasanlliu, i afërm i familjes, tregon se si u informuan për ngjarjen e rëndë që tronditi jo vetëm qytetin e vogël të Kavajës, por mbarë opinionin publik.

Mund të na tregoni si u informuat për ngjarjen?

Për ngjarjen u informuam nga televizioni. Televizionet njëkohësisht po transmetonin për një ngjarje të rëndë në Kavajë. Kavaja është e vogël, prandaj po e ndiqnim me interes të madh lajmin. Thanë që janë përplasur dy grupe të rinjsh në mes të Lagjes Katër dhe Pesë, aty pikërisht ndahen dy lagjet. Po prisnim të kuptonim çfarë kishte ngjarë. Pastaj gazetarët po thoshin se është vrarë një 50-vjeçar, që kishte shkuar për të blerë bukë. Aty kuptuam se bëhej fjalë për Zonin (Ramazan Hasanlliu).

Po identifikimi u bë me vonesë nga Policia, pse menduat se bëhej fjalë pikërisht për Ramazanin?

Mendja na shkoi te Ramazani sepse në atë moment ai ishte nisur të blinte bukë te furra që ndodhet në vendin ku ndodhi ngjarja. Ndoshta edhe mund të ishte telepati, por 50 vjeç dhe momenti kur ndodhi ngjarja korrespondonin. Familja po e priste në shtëpi të sillte bukën dhe të drekonin të gjithë bashkë. Më pas na mori Policia në telefon dhe na dhanë lajmin e hidhur. Nuk di çfarë të them, jemi të tronditur.

Çfarë ju tha Policia?

Policia tha se në ngjarjen e ndodhur në Lagjen Nr.4 kishte mbetur rastësisht i vrarë Ramazani. Na thanë se ai është vrarë në mënyrë rastësore, pasi e kishin qëlluar me dy plumba gjatë një përplasjeje me armë mes disa të rinjve. Na thanë që të marrim masa për veprime të mëtejshme.

A i njihni personat që u konfliktuan mesditën e sotme (dje), ku mbeti i vrarë në mënyrë rastësore Ramazani?

Jo, jo. Ne nuk i njohim. Si mbiemra i njohim, por djemtë jo. Kavaja është e vogël dhe me mbiemra njihen pak a shumë familjet këtu. Ata jetojnë disa blloqe larg nga këtu, nuk kemi lidhje fare neve.

Me çfarë merrej Ramazani?

Deri para pak kohësh punonte si roje, ndërsa kohët e fundit ishte i papunë. Ishte një njeri shumë i mirë dhe ka lënë pas bashkëshorten, dy vajza dhe një djalë. Ka një familje të mrekullueshme. Janë njerëz që nuk ngatërrohen, por shikojnë hallin e tyre. Nuk i kanë rënë kurrë në qafë njeriu. Sidomos Zoni, ishte njeri shumë paqësor.

Loading...