Drejtori i ndërmarrjes “Ujësjellësi” që është kuadër i BDI-së ka marrë me qira 15 vetura për të cilat do të paguajë 415 mijë euro dhe pas pesë viteve këto makina duhet ti kthejë, ndërsa sipas llogaritjeve, nëse ato do të bliheshin për to paguhej 150 mijë euro më pak. Ndërsa nga ana tjetër, nuk ka para për të paguar rrogat.>

Këto akuza janë bërë nga VMRO-DPMNE në një konferencë për mediat, ndërsa TV24 ka zbuluar se bëhet fjalë për kuadrin e BDI-së, Ilmi Selami, ish-anëtari i Komisionit Antikorrupsion në kohën e qeverisjes së VMRO-DPMNE.

Partia VMRO-DPMNE sipas TV24 për gjendjen në këtë shoqëri aksionare me kapital shtetëror ka akuzuar kryeministrin Zoran Zaev dhe ministrin Dimkovski, duke kërkuar llogari për gjendjen e kësaj ndërmarrje. Më tej theksohet se Selami për vete ka porositur “Renault Talisman” që ka një çmim prej 50 mijë eurove.

Selami për TV24 lidhur me këto akuza është përgjigjur se veturat kanë qenë mjete bazë për punë dhe se patjetër është dashur huazimi i tyre. Sipas tij, edhe po të mos ishin porositur këto vetura, rrogat e punëtorëve sërish do të ishin problem.

Ai ka theksuar se për rrogat e punëtorëve duhen 270 mijë euro në muaj, ndërsa kësti mujor për makinat e huazuara është tejet më lirë. SHA “Ujësjellësi” kërkon nga Qeveria që me rebalancin e buxhetit ti ndajë 1.5 milionë euro për zgjidhjen e problemeve të tyre.