Rusia ka dërguar komponentët e rinj të sistemit të saj të mbrojtjes raketore S-400 në Turqi. Ministria e Mbrojtjes së Turqisë njoftoi sot se kontingjenti i pestë dhe i gjashtë rus ka arritur në bazën ajrore Murted, që gjendet pranë kryeqytetit, Ankara. Turqia ka pranuar tri dërgesat e para të komponentëve të sistemit S-400 më 12 korrik dhe dërgesën e katërt një ditë më pas. Ankaraja ka blerë sistemin e mbrojtjes raketore ruse, pavarësisht se Uashingtoni e ka kërcënuar atë me sanksione. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët konsiderojnë se sistemi S-400 nuk është në përputhje me sistemet e NATO-s dhe paraqet kërcënim për avionët luftarakë të tipit F-35. SHBA-ja i ka dhënë afat Turqisë që deri më 31 korrik të tërhiqet nga blerja e këtij sistemi ose në të kundërtën nuk do të ketë më kontratë me Uashingtonin për prodhimin e avionëve F-35. Por, Uashingtoni tashmë ka nisur procedurat e heqjes së Turqisë nga programi për prodhimin e avionëve F-35 dhe po ashtu ua ka ndaluar trajnimin pilotëve turq në SHBA.