Presidenti Amerikan, Donald Trump është akuzuar për racizëm, pas disa postimeve në “twitter”, ku sulmonte katër kongresmene demokrate.

Ai pretendoi se ato vinin nga vende, qeveritë e të cilave ishin një katastrofë e plotë dhe u sugjeroi më pas, të ktheheshin atje.

Postimi në “twitter” i drejtohej një grupi prej katër kongresmenesh me ngjyrë; tre të lindura dhe të rritura në SHBA, ndërsa e katërta e zhvendosur atje kur ishte fëmijë.

Bëhet fjalë për Alexandria Ocasio-Cortez, Rashida Tlaib dhe Ayanna Pressley, si edhe Ilhan Omar, që ka ardhur në SHBA si refugjate në moshën 12 vjecare.

Ato e kanë quajtur Presidentin racist, dhe janë mbështetur zëshëm nga anëtarët e tjerë të partisë demokratike.

Në një seri prej tre postimesh, Trump i akuzoi kongresmenet për kritika keqdashëse ndaj tij dhe Shteteve të Bashkuara. Ai nuk i përmendi shprehimisht me emra, gratë për të cilat fliste, por përmbajtja të çonte qartësisht tek to.