Vitin e kaluar në vend janë identifikuar nëntë raste të tregtisë me njerëz dhe 128 viktima potencial të tregtisë me njerëz. Format më të përfaqësuara të tregtisë me njerëz në shtetin tonë janë eksploatimi seksual, lypja e detyruar, eksploatimi në punë, dhe fshehja e emigrantëve. Shumë shpesh këto lloje të tregtisë me njerëz janë të ndërthurura ndër vete, dhe pikërisht për atë ky krim mund të paraqitet në shumë forma. Siç tregojnë të dhënat e fituara në suaza të projektit “ThuajStop” këtë vit tashmë ka tre hetime të reja për fshehje të emigrantëve në shtetin tonë.

“Nga viti 2015 Ministria e Punëve të Brendshme vendosi aplikacion “Pulla e Kuqe” të krijuar për paraqitje të keqpërdorimit të fëmijëve, tregtisë me njerëz, si dhe krim nga urrejtja dhe thirrje për dhunë. Aplikacioni është destinuar për paraqitje të këtyre veprave penale nga ana e viktimave, por edhe nga ana e cilit do qoftë që ka ndonjë dyshim ose informatë për një rast të caktuar”, thuhet në kumtesën e “ThuajStop” me rastin e 30 korrikut – Ditës botërore për luftë kundër tregtisë me njerëz.

Për atë, shtohet në kumtesë, e rëndësishme është çdo qytetar të njoftohet me indikatorët për njohje të tregtisë me njerëz dhe të mund të identifikojë viktima potencial të tregtisë me njerëz, si dhe ta mbrojë veten.

“Për këtë qëllim duhet të organizohen aktivitete edukative që në moshën shkollore, t’u ndihmohet viktimave nga tregtia me njerëz, të alarmohet në institucione adekuate, kjo temë të mbulohet më shpesh në mediat lokale dhe të paraqitet çdo rast i dyshimtë. Përderisa dyshoni se ju ose ndonjë person tjetër në afërsinë tuaj është viktimë potenciale e tregtisë me njerëz paraqiteni rastin në SOS linjën telefonike falas 0800 11 111 ose në 077 811 191”, potencohet në kumtesë.

Qëllimi kryesor i shënimit të kësaj dite është ngritja e vetëdijes për vuajtjet e një numri të madh të personave të cilët përballen me eksploatim seksual, eksploatim të punës, lypje të detyrueshme, robëri moderne, tregti me organe, shfrytëzim gjatë fshehjes dhe formave tjera të tregtisë me njerëz. Kjo ditë shënohet nga viti 2013 pas miratimit të Rezolutës të Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për luftë kundër tregtisë me njerëz.

Drejt luftës pa kompromis kundër tregtisë me njerëz përfshihet edhe Shoqata e juristëve të rinj të Maqedonisë në bashkëpunim me Komisionin Nacional për luftë kundër tregtisë me njerëz dhe emigrimit ilegal të Republikës së Maqedonisë së Veriut me fushatën “Më afër se sa që mendon”, e cila zbatohet në suaza të projektit të USAID për mbrojtje të të drejtave të refugjatëve dhe emigrantëve.

Fushata ka për qëllim të kontribuojë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të viktimave të tregtisë me njerëz. Përveç asaj, kjo fushatë, tenton të prekë te të gjithë qytetarët e shtetit që edhe ato të përfshihen në luftën globale kundër njërit nga aktivitetet kriminele më profitabile në korrniza botërore, si dhe ta ngritë vetëdijen publike për tema të lidhura me viktimat e tregtisë me njerëz.

Faktorë kryesor për paraqitje të tregtisë me njerëz janë korrupsioni, mungesa e vendeve të punës, shkalla e ulët e arsimit, familjet e shkatërruara dhe disfunksionale, dobësitë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, moszbatimi i politikave të qeverisë dhe shumë të tjera.