Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, më 4 Korrik, në përvjetorin e 243-të të Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, i ka dërguar një letër homologut të tij amerikan, Donald Trump.

Në këtë letër, Thaçi ka shkruar se në këtë ditë, “Kosova qëndron krenare si shteti më proamerikan në botë, duke i ndarë vlerat tona të përbashkëta dhe parimet e vizionin për një botë të lirë dhe të drejtë”.

Ndërkaq, duke ju referuar letrës që Trumpi ua kishte dërguar Thaçit dhe presidentit serb, Vuçiq, dhjetorin e kaluar, presidenti i Kosovës thotë se mbetet “i përkushtuar që të arrijmë një marrëveshje paqësore përfundimtare me Serbinë, që do të sjellë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në mes vendeve tona dhe tërë rajonit”.

“Në fazën kritike në këtë proces, më lejoni të theksoj se lidershipi dhe vizioni Juaj mbesin qenësor për këtë synim”, ka shkruar Thaçi në këtë letër, që e përcjell Kosovapressi.

Kjo është letra e plotë e presidentit Thaçi e përkthyer në gjuhën shqipe:

I nderuari Z. President, Në përvjetorin e 243-të të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju përcjell urimet më të sinqerta në emër te popullit të Kosovës dhe në emrin tim si President i Republikës së Kosovës.

Në këtë ditë, Kosova qëndron krenare si shteti më proamerikan në botë, duke i ndarë vlerat tona të përbashkëta dhe parimet e vizionin për një botë të lirë dhe të drejtë. Këtë 4 Korrik në Kosovë po e festojmë me inaugurimin e ambasadës së re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një testament ky i forcimit dhe thellimit të vazhdueshëm të miqësisë sonë dhe partneritetit tonë strategjik.

Këtë vit Kosova përkujtoi 20 vjetorin e hyrjes së trupave paqeruajtëse të NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja, për të na sjellë liri dhe paqe në Kosovë dhe në rajon. Ne mbesim përherë falënderues për mbështetjen tuaj në kohërat tona më të rënda dhe për mbështetjen tuaj në rindërtim in e vendit dhe shoqërisë sonë pas tragjedive dhe shkatërrimit nga lufta.

Sot, ne punojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në forcimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon.

Duke ju referuar letrës që Ju më keni dërguar dhjetorin e kaluar, më lejoni të konfirmoj se mbes i përkushtuar që të arrijmë një marrëveshje paqësore përfundimtare me Serbinë, që do të sjellë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në mes vendeve tona dhe tërë rajonit. Në fazën kritike në këtë proces, më lejoni të theksoj se lidershipi dhe vizioni Juaj mbesin qenësor për këtë synim. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sinqerisht, Hashim Thaçi

President i Kosovës