Peruja ka hesapet e veta, synon të bëjë mrekullinë në finalen e madhe të Kupës së Amerikës në futboll, e cila do të zhvillohet të dielën në stadiumin e njohur “Maracana” në Rio de Janeiro. Peruja përballet me Brazilin e fuqishëm, që është edhe organizatorë i kësaj ngjarje të madhe.

Rrugëtimi i Brazilit deri në finale nuk ka qenë edhe aq i lehtë, ndërsa Peruja ka bërë senzacion sepse pak kush e kishte pritur se ajo do të jetë në finalen e madhe, pasi që ndër favoritët llogariteshin krahas Brazilit, edhe Uruguai, Argjentina dhe Kili!

Futbolli është si gjithmonë me befasi, kështu ishte edhe në Kupën e Amerikës dhe Peruja tani kërkon edhe titullin e Kupës së Amerikës.

Të gjithë janë në pritje të kësaj finale të madhe, të këtij spektaklit, që mban në drithërima tifozët. Brazili numëron orët që e ndajnë nga finalja e madhe e kësaj të diele me Perunë, që do të luhet në orën 22.00. Brazili ka qenë në grupin A, ku ka shënuar 2 fitore e 1 barazim, duke tubuar 7 pikë dhe me goldallim 8:0. Brazili e mundi me 3:0 Bolivinë, pastaj barazon 0:0 me Venezuelën dhe e shkatërroi me 5:0 Perunë, tani me këtë të fundit takohen sërish në finale. Në grupin A ka qenë edhe Peruja e cila në hapje barazon 0:0 me Venezuelën, pastaj e mund me 3:1 Bolivinë dhe pësoi debakël me 5:0 nga Brazili.

Peruja zuri vendin e tretë me 4 pikë, me goldallim 3:6 ose me një fitore, një barazim e një humbje. Peruanët shkuan më tej si vendi i tretë, sepse kishin plasman më të mirë se dy kombëtaret tjera, Paraguai në grupin B dhe Japonia në grupin C.

Në çerekfinale Brazili mezi e mundi Paraguain, pasi ndeshje pas plot 120 minutave përfundoi me rezultat 0:0, por me penallti fituan me 2:0, kurse në gjysmëfinale e mposhtën me 2:0 Argjentinën. Peruja bëri mrekulli kur në çerekfinale me penallti e mundi me 5:4 Uruguain, ngase takimi kishte përfunduar 0:0, ndërsa në gjysmëfinale deklasoi me 3:0 Kilin kampion i edicionit të kaluar.

Ka edhe një statistikë që qëndron në mbështetje të shpresave të një vendi të tërë, që në turneun kontinental shumë shpesh i është dashur të dëshmojë sukseset e rivalëve historikë, Uruguait, që e ka fituar 15 herë Kupën, apo Argjentinën me 14 suksese, në një kohë që Brazili është ndalur në 8 triumfe totalë në Kupën e Amerikës.

“Seleçao” në të katërta rastet kur ka mikpritur kompeticionin kryesor futbollistik të Amerikës së Jugut, e ka ngritur në qiell Kupën. Një histori që fillon që në vitin 1919 me të famshmin Arthur Friedenreich kryegolashënues dhe që vazhdon në 1922, pastaj në 1949 me Jair princ të golave dhe në fund në vitin 1989 kur finalizuesi më i mirë ishte Bebeto.

Katër finale të fituara nga katër të zhvilluara në shtëpi, që këtë të diel mund të bëhen pesë nga pesë, gjithmonë me lejen e Perusë. Në këtë mënyrë, bëhet edhe më ironike paralelja me Botërorin, aty ku krejt ndryshe, çdo herë që Brazili ka organizuar Kupën e Botës i është dashur të përballet me zhgënjime, që edhe pse kanë kaluar dekada bëjnë ende pjesë në gjuhësorin sportiv si Maracanazzo, stadium ku “Seleçao” do të kthehet këtë të dielën dhe që në 1950 u mposht me Uruguain, që bëri të qanin miliona tifozë, apo Mineirazo në 2014, kur Gjermania në gjysmëfinale i shkaktoi nja nga disfatat më të bujshme me një 7:1 të pamëshirshëm ndaj “Seleçaos”.