Republika e Maqedonisë  së Veriut  mori ofertë nga UNCTAD për ti shfrytëzuar mundësitë e Programit për shkencë, teknologji dhe Inovacion, i cili mund ti  ndihmojë programet dhe kapacitetet nacionale për të ndihmuar në zhvillimin dhe produktivitetin më të madh të ekonomisë. Ky ishte mesazhi kryesor i takimit të zhvilluar mes ministrit të ekonomisë Kreshnik Bekteshi  dhe zëvendës sekretares së përgjithshme të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për tregti dhe zhvillim (UNCTAD), Isabel Duran.

Në takimin që u realizua në kuadër të vizitës tre ditore të ministrit Bekteshi në Gjenevë, ai e informoi përfaqësuesen e UNCTAD për  reformat që shteti i ka bërë në dy vitet e kaluara për të  përmirësuar klimën e biznesit në vend. Siç theksoi Bekteshi, pas stabilizimit të situatës politike në vend me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës pas kontestit shumëvjeçarë me Greqinë për ndryshimin e emrit dhe  pas marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, vendit iu hap  mundësia për bashkpunim më të madh rajonal, por edhe rruga për integrim në Bashkimin  Europian dhe NATO.

Përveç reformave në energjetikë, bashkëpunimit ndërkufitar, investimeve në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore,  theksi më i  madh në nxitjen e rritjes ekonomike, siç tha Bekteshi është përgatitja e Planit për rritje ekonomike.

“Vitin e kaluar kemi përgatitur Planin për rritje ekonomike, i cili po zbatohet me Ligjin për mbështetje  financiare të investimeve. Me atë barazohen investitorët vendas dhe të huaj, që nuk ishte rast në të kaluarën. Ai përmban masa për të inkurajuar konkurencën e kompanive në vend që të jenë gati për të hyrë në tregje të mëdha dhe pjesa më e rëndësishme është promovimi i inovacioneve, fillimeve dhe akselatorëve (lehtësuesve). Këto janë politikat tona për të inkurajuar rritjen e ekonomisë, “sqaroi ministri Bekteshi.

Sipas Durant, Republika e Maqedonisë së Veriut si vend i vogel ka shumë mundësi për zhvillim ekonomik,  kryesisht duke mbështetur inovacionet e kompanive të vogla dhe të mesme, të cilat mund të nxisin rritjen, si edhe tërheqjen e investimeve të huaja.

“Si  vend, mund të përfitoni nga inovacionet, shkenca dhe teknologjia nëse lejoni që atë ta zhvillojë sektori akademik , por edhe kompanive si përshpejtues të start-up-eve për të pasur një bazë të fortë për zhvillimin e kompanive inovative. Kjo është diçka që ju mund t’i kushtoni më shumë vëmendje, sepse ndërlidhet me tërheqjen e investitorëve të huaj “, tha Durant.

Bekteshi dhe Durant u dakorduan se rezultati pozitiv i krizës politike dhe zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve me fqinjët janë motorë kryesorë për rritje të përshpejtuar ekonomike, për  të cilën Bekteshi tha se vendi ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme  që këtë vjeshtë të marrë datë fillimi për negociata me Bashkimin Evropian.

Në kuadër të vizitës së Kombeve të Bashkuara, ministri Bekteshi realizoi takim joformal me Kire Ilioski, i cili që nga 1 korriku mori detyrën si Drejtor në zyrën e sekretarit ekzekutiv të Kombeve të Bashkuara (OKB).