Mbase për ne njerëzit e zakonshëm, të jesh i rrethuar nga probleme dhe konflikte, është siklet dhe stres më vete, por për një tip si Stresi, i vetëpagëzuar si djali i keq i përjetshëm (bad boy for life), këto mund të jenë thjesht momente me adrenalinë. Një javë më parë, “Panorama Plus” rrëfeu historinë e tij të dashurisë më Keisin, komshien bukuroshe me të cilën u dashura marrëzisht dhe deri te momenti i ndarjes.

Kujtojmë se reperi u arrestua në tetor të vitit 2018, pas një hetimi disamujor ndaj një grupi kriminal që operonte në kryeqytet, pjesë e të cilit dyshohet të ishte edhe Stresi. Ai ka bërë 8 muaj burg, ku para një muaji u shpall i lirë nga Gjykata. Keisi, e cila aktualisht ndiqte studimet në Kanada, për shkak edhe të distancës, i kushtonte statuse gjatë kohës që ai ishte në burg.

Por siç konfirmojnë miqtë e tyre, Stresi dhe Keisi i kanë dhënë fund historisë me njëri-tjetrin, edhe pse ata ishin të celebruar dhe po planifikonin një ceremoni private dasme në ishullin grek, Santorini. Duhet theksuar se për 8 muaj që reperi qëndroi në qeli në burgun e FushëKrujës, bashkëshortja e tij shkonte ta takonte, duke mos lënë pas dore edhe postimet e pafundme në “Instagram”, të gjitha dedikime dashurie për Stresin.

Mirëpo, duket se çifti është ndarë për shkak të mosmarrëveshjeve, nisur edhe nga lajmet se në momentin që u kap nga Policia, Stresi ishte në shoqërinë e një femre. Për këtë fakt, në një intervistë për një revistë, Keisi u shpreh se do të sqarohej pasi Stresi të lirohej nga burgu. Nuk dihet nëse sqarimet për këtë çështje e kanë acaruar situatën si një gabim që Keisi nuk ia ka falur dot Stresit, apo ndarja ka ardhur për mosdakordësi për lidhjen e tyre në distancë.

I pyetur në një intervistë kohët e fundit në lidhje me këtë çështje, Stresi pohoi se dasma do të bëhej patjetër, por pa dhënë më shumë detaje, duke krijuar idenë se ai vetë me siguri do të gjente një zgjidhje për këtë situatë delikate, por se si do e zgjidhte, nuk e tregoi. Ndër të tjera, në intervistë Stresi foli edhe për qëndrimin e tij në burg, të cilin pa dyshim që, për profilin që ai ka, do ta përdorë patjetër për marketing dhe jo si një dramë të jetës së tij.

Stresi ka rrëfyer se në burg i ka pasur të gjitha kushtet dhe se nuk i ka munguar marijuana, rakia me kivi, stërvitja me paralele dhe telefoni. Gjatë këtij rrëfimi reperi ka treguar se çfarë ndodh aktualisht në burgjet shqiptare.

“Mos me pasë vëlla marijuanë, do ishte djegur burgu. Merr flakë burgu me sektor, me krejt. Vinin shefat thonin ça ke që je nervoz. I thosha vëlla, shtije vëlla, se s’rrinin çunat. Normale, përditë. Ndryshe aty ishte keq, por ne kemi kaluar mirë”, ka pohuar Stresi.

Më pas ai ka vijuar: “ Kur flisja me të shpisë, ua mbyllja shpejt se kishim gjëra për të bërë në burg. Unë kurrkushi s’jam. Jam informuar shumë mirë për reperat jashtë, se kisha telefon. Është pjesë e jetës, po mirë, kam kaluar shumë mirë. Është njerëzore me arrit aty, pavarësisht se unë kam qenë burg politik. Kemi jetuar si në film vëlla”, është shprehur reperi.

Një nga gjërat e para që ka bërë Stresi sapo ka dalë nga burgu, ka qenë publikimi i një këngë të re, të cilën me siguri fansat e tij e kanë pritur me padurim. Por mbase për koincidencë, po në atë ditë, edhe Noizy, rivali i tij i përjetshëm, ka publikuar një këngë të re, duke kthyer kështu rivalitetin e dikurshëm që gjithsesi iu shërben të dyve për më shumë vëmendje.

Noizy dhe Stresi kanë mbetur prej vitesh dy nga reperët më të suksesshëm në tregun muzikor shqiptar, por edhe ndër më të komentuarit në media. Vite më parë, dy reperët ishin në armiqësi me njëri-tjetrin, por me kalimin e viteve kjo armiqësi duket se u shua, pasi prej kohësh nuk i kanë bërë më disse njëri-tjetrit. Megjithatë, projektet e fundit i kanë futur në sfidë Noizyn dhe Stresin.

Noizy ka publikuar këngën “Nuk kan besu”, rreth pesë ditë më parë, këngë e cila ka arritur në 3 milionë klikime dhe rreth 5000 komente, shumica pozitive dhe komplimentuese për reperin. Ndërsa Stresi ka publikuar “Real Life”, gjithashtu rreth 5 ditë më parë, me 600 mijë shikime dhe rreth 1000 komente deri tani.

Të dy reperët kanë treguar se këngët e tyre kanë pasur shumë sukses. Noizy ka postuar disa foto ku tregon se kënga e tij është trending në Greqi, Itali dhe Zvicër, ndërsa Stresi ka postuar një bisedë ku tregon se “Real life” është trending në Shqipëri. Të shohim çfarë të rejash do të kemi për këto përsonazhe që pëlqehen dhe ndiqen nga mijëra të rinj.