Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski nuk ka përgjigje konkrete për verifikimin e sigurisë te punonjësit e rinj të ASK-së. I pyetur sot nga Televizioni Alsat se kush do i bëj këto verifikime, pas të cilave punonjësit e ASK-së do të pajisen me certifikata, ai tha se është formuar një komision për të kryer këtë verifikim, por pa dhënë detaje se cfarë përbërje ka ky komision dhe nëse vetë këta anëtare kanë kaluar paraprakisht verifikimin e njëjtë të sigurisë.

Atje është formuar një komision për selektim. Komisioni për selektim përmes metodologjisë së vërtetuar do i kryej të gjitha kontrollet mes të cilave edhe kontrollet e sigurisë – deklaroi Oliver Spasovski, ministër i brendshëm.

Juridikisht, ky aspekt lë dyshime në verifikimin real të punonjësve të ASK-së. Pa kaluar në filtrin e tillë, punonjësit e dikurshëm të DSK-së do të jenë të njëjtët që do të vendosin për të ardhmen e kolegëve të tyre në ASK. Eksperti i sigurisë Lubomir Gjurçevski thotë se e kaluara e hidhur në DSK për përfshirje politike, nepotizëm, etj, lë sërish hije negative në zgjedhjen e anëtarëve të rinj nga komisioni që është caktuar.

Është fakt se ky vërtetim do të jetë subjektiv sepse shumë media, në të kalauarën kanë shkruar për nepotizmin në punësimin e ish DSK-së, ku janë publikuar informacione se atje janë punësuar familjarë, nipa e farefis, pra ka pasur nepotizëm. Në transferimin e punonjësve nga DSK në ASK, e gjithë procedura është vendosur shumë gabimisht – tha Lubomir Gjurçevski, ekspert i sigurisë.

Punonjësit e DSK-së shpesh herë të akuzuar nga vetë autoritetet vendore apo edhe Pribe për përfshirje në politikë, në kriminalitet dhe biznese, tani duhet të bëjnë pastrimin të radhëve të ish kolegëve të tyre. Ask e re nisi fazën e bartjes me shumë dilema, madje pa miratuar më parë edhe aktin e sistematizimit. Për përzgjedhjen e të punësuarve u diktuan një sërë kushtesh; që të punësuarit në ASK të mos jenë në bashkësi martesore ose jashtëmartesore me punonjës në DSK, me të afërm familjar deri në brezin e dytë, me të afërm familjar krushqi deri në brezin e parë dhe Nga ana tjetër, çështja e dyshtetësisë, e lidhjes partiake dhe biznesore etj., mbeten kritere bazë për punësimin në agjencinë e re. Punonjësit kanë nënshkruar akte pajtimi me të cilat pajtohen t’i nënshtrohen edhe poligrafit, por edhe një sërë verifikimesh, si nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, Policia Financiare, Drejtoria e Zbulimit Financiar dhe Financimit të Terrorizmit, Kundërzbulimi Ushtarak, Agjencia e Inteligjencës etj. Procesi pritet të marrë më shumë kohë se sa duhet, edhe pse data 1 shtator është shpallur si data e nisjes zyrtare me punë të kësaj Agjencie.